Piranjat/ Izrael-Palestinë, një histori lufte

Piranjat/ Izrael-Palestinë, një histori lufte

22:22, 13/10/2023
A+ Aa A-

Në vitin 1896, një gazetar i ri austro-hungarez, Theodor Herzl, i tronditur nga rritja e antisemitizmit në Europë, publikoi pamfletin ‘Shteti i hebrenjve’. Aty thuhet: ‘Populli ynë ka nevojë për një vend, ku mund të jetojë i mbrojtur nga përndjekjet anti-Semite’.

Një vit më vonë, në Bazel të Zvicrës mbahet kongresi i parë të lëvizjes sioniste, në të cilin objektivi ishte: krijimi një atdheu për popullin hebraik. Në kongresin e shtatë sionist të vitit 1905, Palestina zgjidhet si vendi, në të cilin do themelohet atdheu i hebrenjve.

Për botën perëndimore, palestinezët ishin inekzistent.

Ndërkohë, hebrenjtë pushtojnë gjithnjë e më tepër më tepër territore.

Nga viti 1908 deri në 1913, ata krijojnë 11 koloni. Në këtë periudhë shfaqen protestat e para të arabëve, kundër lëvizjeve sioniste. Lufta e parë botërore do të tronditë gjeografinë në Lindjen e Mesme. Ky rajon kalon në administrimin e britanikëve. Me fillimin e nacionalizmit arab, në vitin 1921 fillojnë trazirat e para antihebraike.

Në vitin 1933, Adolf Hitler urdhëron bojkotimin e aktiviteteve, që i përkisnin hebrenjve. Agjencia hebraike firmos një marrëveshje me Rajhun e tretë, që i lejon hebrenjtë e Gjermanisë të emigrojnë në Palestinë. Përgjatë 6 viteve në vijim, në Palestinë mbërrijnë qindra mijëra hebrenj, të cilët do t’i sjellin një impuls të ri ekonomisë së vendit. Është një emigrim i intelektualëve, arkitektëve, artistëve. Popullsia trefishohet.

Në vitin 1935, David Ben Gurion zgjidhet si kryeministër i Komunitetit hebraik. Në prill të vitin 1936, arabët ndërmarrin një grevë në të gjithë vendin, në të cilën kërkojnë ndalimin e shitjes së tokave ndaj hebrenjve. Kur nazistët promovuan ligjet e Nurenbergut, në Europë, jeta e miliona hebrenjve kërcënohej. Për ata që duan t’ia mbathin nga Rajhu, alternativat ishin të pakta sepse edhe shtete e tjera ua mbyllën dyert hebrenjve, mes tyre edhe anglezët, që drejtojnë Palestinën.

Lufta e Dytë Botërore mbaroi, por fitorja e aleatëve kundër Gjermanisë naziste nuk do ta ndryshojë politikën angleze të refuzimit të emigrimit të hebrenjve të mbijetuar nga Holokausti. OKB kërkon krijimin e një shteti hebraik. E befasuar nga ky vendim, Britania refuzon opsionin e ndarjes dhe largohet brenda 6 muajve. Shteti i Izraelit lindi në vitin 1948. Arabët refuzojnë dhe fillojnë sulmet terroriste. Me të fituar luftën, Izraeli merr nën kontroll 81 % të territorit palestinez.

Brenda disa vitesh krijohen qytete të rinj, si dhe 400 kibuce dhe ferma kolektive. Por vendit i duhet të përballet me sulmet arabe dhe Egjiptin. Egjiptianët marrin nën kontroll Kanalin e Suezit, duke i ndaluar hyrjen anijeve izraelite. Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli nënshkruajnë një marrëveshje sekrete për të marrë nën kontroll Suezin, por detyrohen të tërhiqen nga presioni i SHBA dhe Bashkimit Sovjetik.

Në prill të 1967, 7 ‘MIG 21’ sirianë rrëzohen nga Izraelitët. Bota arabe nuk mund të rrijë duke parë. Nasser urdhëron ushtrinë e tij të rimarrin Sinain dhe mbyll Ngushticën e Tiranit për anijet izraelite. Ky provokim çoi drejt luftës 6 ditore, gjatë së cilës Izraeli pushtoi Sinain deri në kanalin e Suezit, Rripin e Gazës, Çisjordaninë, pjesën arabe të Jeruzalemit dhe Lartësitë e Golanit.

Sipërfaqja e shtetit të Izraelit, nga 21 mijë bëhet 102 mijë m2.

Pas luftës 6 ditore, vendet arabe bashkohen dhe firmosin një marrëveshje solidariteti, për një luftë të përhershme me Izraelin, duke përdorur naftën arabe, si armë diplomatike për të rikuperuar territoret e humbura.

Në 4 shkurt të vitit 1969, Jaser Arafat zgjidhet kryetar i Organizatës Çlirimtare të Palestinës. Ky është fillimi i një apatie politike, që sa vjen e rritet. Në fillim të viteve ’70, forcat operacionale fillojnë dëbimin e palestinezëve nga tokat e tyre dhe ndërtimin e kolonive.

Sipas statistikave izraelite, popullsia hebraike e kolonive në Cisjordani vijoi të rritej me 4% në vit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco