Krimi, Shteti, sistemi dhe fenomeni

Krimi, Shteti, sistemi dhe fenomeni

12:56, 30/08/2023
A+ Aa A-

Nga Andi Mustafaj/

Hapi i parë dhe i pazëvendësueshëm për të luftuarkriminalitetin që ka mbërthyer është kuptimi i natyrës së tij të thellë. A është krimi në vendin tonëtashmë pjesë e sistemit apo është akoma veçse një fenomen. Ky dallim ka një rëndësi thelbësore sepse arsenali shtetëror nuk mundet dhe nuk duhet ti përgjigjet njëlloj.

Sistemi është një realitet shumë i ndërlikuar dhe i thellë, pa e kuptuar plotësisht ai do të luftohet vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Sistemi përbëhet nga shoqëria dhe tërësia e institucioneve (shtetërore, private, informale, mediatike etj.) që të gjitha sëbashku, nëpërmjet marrëdhënieve që kanë me njeri - tjetrin vendosin dhe përkufizojnë “normalitetin” në shoqëri.

Sistemi nuk ka një realitet të përcaktuar dhe të ngrirë. Ai ka një gjeometri të ndryshueshme dhe shpesh shumë, a pak, të qëndrueshme. Ndonjëherë është e gjithë shoqëria që ndikon në përkufizimin e normalitetit e ndonjëherë vetëm një pjesë e saj. Ndonjëherë Shteti e krijon normalitetin, e ndonjëherë thjesht e përkthen atë në akte juridike. Ndonjëherë disa institucione e shoqëri private zënë një vend të tillë sa që arrijnë të ndikojnë në përkufizimin e normalitetit për çështje të caktuara.

Sistemi duhet kuptuar qartë, ai nuk është as i mirë dhe as i keq, është neutral. Ne jemi të gjithë pjesë e tij, si pasojë, ai nuk mundet dhe nuk duhet luftuar, ai duhet ndryshuar. Duke ndryshuar ose ndikuar sistemin, ndryshojmë përkufizimin e normalitetit mbi çështje të caktuara dhe si pasojë sjellja e njerëzve do të ndryshoj.

Fenomenet janë rryma të forta dhe ndikuese të cilat përshkojnë sistemin duke ndikuar në të pa qenë akoma të pranuara si pjesë e “normalitetit”. Mbi ta, shteti ka një fuqi të plotë vepruese dhe luftuese. Arsenali juridik dhe administrativ mund të lëshohet plotësisht mbi to për të zhdukur. Ky ishte për shembull rasti me bandat që terrorizonin vendin ku u arrit një fitore e madhe nga PD në vitin 2005.

Ky nuk është më fakti sot sepse kriminaliteti u kthye në qendër të strategjisë së Rilindjes për marrjen dhe më pas mbajtjen e pushtetit dhe si i tillë pak e nga pak depërtoj qelizat e ndryshme të sistemit deri sa është përkthyer sot në pjesë e normalitetit në vendin tonë.

Shteti është vetëm një pjesë e sistemit. Nëse rrethanat nuk janë të duhurat, përdorimi i mjeteve juridike nuk vendos dot normalitetin. Në të kundërt, në të njëjtën mënyre si flluskat spekulative në financë e ekonomi krijojnë një boshllëk midis normalitetit juridik dhe normalitetit të vërtetë. Ne nuk na pengojnë ligjet, ligje kemi plotë. Shumë prej tyre përmbushin objektivisht standardet më të mira evropiane. Ne na pengon vetëdija për situatën dhe vullneti për ta ndrequr atë.

Korrupsioni, krimi dhe droga, njëlloj kanë depërtuar dalëngadalë ndërgjegjen dhe nën ndërgjegjen e shoqërisë. Ndihmuar nga bashkëpunimi fatkeq i një pseudo elite politike dhe mos reagimit qytetar është bërë pjesë e normalitetit në vendin tonë.Si pasojë, është thelbësore që PD të fillojë të ndërtojë menjëherë “Planin e tranzicionit” si provë e vetëdijes së saj përballë situatës në të cilën ndodhemi si dhe përgatitjes për ndryshimin e sistemit dhe zhdukjen e krimit e drogës që ka pushtuar vendin.

Këto objektiva duhet të shpallen kauzë madhore kombëtare, ndjekja e të cilave duhet t'i ngarkohet një Zëvendëskryeministri/tre. Kjo kauzë do të prek një shumëllojshmëri fushash mbi të cilat duhet të ndërmerren masa të veçanta dhe të sigurohet në çdo rast koherenca e përgjithshme e veprimit.

E para në Ministrinë e Arsimit nëpërmjet përmirësimit rrënjësor të pjesës së “edukimit” të brezave që po vijnë. Duhet të krijohet vetëdija tek rinia shqiptare për rrugën që po merrë vendi. Duhet të rindërtohet një bosht i ri vlerash ku banditët të mos shihen më për gjë tjetër veçse shkatërrimin dhe mjerimin që veprimtaria e tyre sjellë. Duhet nxitur syri kritik i një rinie, e cila mbart brenda saj çdo ndryshim madhor për një vend.

E dyta në Ministrinë e Drejtësisë nëpërmjet hartimit të një amnistie të veçantë për personat që janë bashkëpunëtor “jo subtancial” në trafikun e drogës. Ne nuk mund të rishkruajmë historinë dhe nuk duhet të jetojmë me kokën mbrapa. Duhet të hapim një derë drejt së ardhmes në bazë të së cilës qëndron fryma dhe dëshira për të ecur përpara.

E treta në Ministrinë e Financave për shkak se rifitimi i fushës së humbur do kaloj pa asnjë dyshim nëpërmjet një faze tranzicioni mbështetur nga ndihma me karakter financiar të shtetit. Ne nuk mund të kërkojmë që brenda një dite çdo gjë të ndryshoj, - ndryshimi duhet shoqëruar. Ne, nëpërmjet ardhjes në pushtet, duhet të krijojmë kushtet që të ndezim përsëri një xixë brenda shoqërisë.

E katërta në Ministrinë e Ekonomisë nëpërmjet ri-krijimit të besimit të qytetareve dhe investitorëve në ekonominë shqiptare  si dhe parashikimit të pasojave mbi ekonominë e ndryshimit të sistemit. Pasoja që do të jenë të sigurta për shkak të ngadalësimit të lëvizjes së parave të pista.

E pesta në Ministrinë e Brendshme nëpërmjet përgjigjes ndaj pyetjes ekzistenciale sesi një institucion kaq rrënjësor mund të luaj rolin e saj mbas instrumentalizimit që i kanë bërë prej kaq shumë vitesh politika dhe krimi.

E gjashta në Ministrinë e Mbrojtjes nëpërmjet luajtjes së një roli të ri në këtë kauzë kombëtare, më të veçantë, aktiv dhe strategjik në luftën ndaj narkotrafikantëve.

Sigurisht, këto elementë nuk janë shteruese dhe kërkojnë një debat shumë më të gjerë për të krijuar Planin përfundimtar të tranzicionit. Është thelbësore që sot, ne që përbëjmë brezin e ri të Partisë Demokratike, të marrim stafetën duke qenë të vetëdijshëm për arritjet e brezave të mëparshëm, por edhe të gabimeve të tyre që të jemi në gjendje të nxjerrim mësimet e duhura. Ne duhet të ecim me modesti përpara sfidës që na pret, të mos shohim armiq përballë, por një sistem të ri për tu ndërtuar, ku të gjithë kanë rolin e tyre.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco