Lajmi i fundit

LIVE/ Rama në Athinë, fjalim para administratës së vet dhe emigrantëve shqiptarë

Rita si drita

Rita si drita

20:52, 27/08/2023
A+ Aa A-

Nga Fatmir Konja/

Rita Orën e kam parë vetëm një herë në Pallatin Mbretëror në Tiranë, më 28 nëntor 2012. Rrezëllinte! Ishte në kulmin e suksesit të saj, ndërsa ishte e ftuar e posaçme e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë. Natyrshëm u prit dhe u nderua nga autoritetet më të larta në shtetit si vlerësim për suksesin e saj personal në muzikë, por njëherësh për rolin e saj të padiskutueshëm si promovuese e imazhit të mirë dhe vlerave më sipërane të shqiptarëve.

Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që atëherë dhe Rita nuk ka lënë as edhe një rast të vetëm pa e shfrytëzuar për të deklaruar identitetin e saj kombëtar dhe mbështetur kauzat kombëtare. Karriera e saj muzikore pati një ngjitje të shpejtë, e këtu mbase i ka ndihur fati, por qëndrimi për një periudhë kaq të gjatë në nivelet më të larta të tregut muzikor botëror gjen shpjegim sa tek personaliteti i saj i admirueshëm, aq edhe tek energjia që i buron nga krenaria e të qenit shqiptare. Atë nuk e ka kapur ndonjëherë dalldia e famës.

Gjatë karrierës së saj, Rita nuk ka qenë kurrë vajza e skandaleve. Ajo është kujdesur të mos e teprojë me dukjen dhe sjelljen e saj në botën e spektaklit. Megjithë mbiemrin artistik Ora, të njohur ndërkombëtarisht, në thelb, Rita mbeti një ndër çikat e familjes së nderuar pejane, Sahatçiu. Së fundmi, Rita është martuar duke krijuar familjen e saj, fakt që ka marrë vëmendje publike, pasi edhe bashkëshorti që zgjodhi ka një emër të respektuar.

E vijmë së fundmi tek performanca e Ritës në festivalin SZIN në Hungari, ku dikush tinëzisht u përpoq ta "veshë" për pak çaste me një flamur serb. "Prej ndriçimit direkt në sy e në skenë, nuk pashë qartë se cilin shtet përfaqësonte flamuri. Sapo dola nga skena, kuptova se ishte një flamur serb e jo hungarez”, ka sqaruar Rita. Ajo tha se i mbështet të githë fansat e saj, nga të gjitha vendet dhe kulturat, por ndërkohë theksoi: "Dua të bëj shumë të qartë se jam një shqiptare krenare e Kosovës, dhe nuk ishte qëllimi im të mos respektoja trashëgiminë time, ose të mërzitja popullin tim, ose familjen time”. Publikisht e qartë, diplomatikisht korrekte, moralisht e kombëtarisht e pastër. Ka plot shqiptarë që nuk kanë patur asfare interes për këngët e Ritës, por ama janë thellësisht të interesuar për suksesin dhe shkëlqimin e saj si shqiptare. Ka plot shqiptarë që u zhgënjyen nga përfshirja e saj e qortueshme në një fushatë elektorale, por ama janë thellësisht të interesuar që ky gabim të mos e cenojë reputacionin e saj si përfaqësuese e denjë e të gjithë shqiptarëve në lëmin e artit. Thënë këto, ngjarje si ajo e djeshmja në Hungari, nuk mund t'ia zbehin dRitës shkëlqimin që ka mes shqiptarëve dhe rrezet që lëshon mbi ta e për ta.

Rita është si drita.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco