Lajmi i fundit

LIVE/ Rama në Athinë, fjalim para administratës së vet dhe emigrantëve shqiptarë

Përpara se inteligjenca artificiale (IA) të jetë vërtetë inteligjente. Cili duhet të jetë roli i elitave politike dhe intelektuale?

Përpara se inteligjenca artificiale (IA) të jetë vërtetë inteligjente. Cili duhet të jetë roli i elitave politike dhe intelektuale?

16:02, 27/08/2023
A+ Aa A-

Nga Ted Kopliku/

Të flasësh për inteligjencën artificiale në një vend që vuan akoma probleme mesjetare apo ku korrupsioni është një sëmundje endemike që prek të gjitha fushat e jetës sociale, ekonomike dhe politike ndoshta duket diçka pa kuptim, jashtë teme dhe pa interes. Në fakt, është krejt e kundërta. IA është një temë ku e gjithe bota nis nje garë të re dhe ndryshe nga revolucioni industrial apo gara për bombën atomike e shekujve të kaluar, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk kërkon teknologji të sofistikuar por mjafton nje kompjuter i thjeshtë. Për mendimin tim, nëse kemi mbetur pas në të gjithe trenat që kanë kaluar, nga zhvillimi teknologjik, të shtetformimit, të integrimit apo në atë intelektual, ky është një tren të cilët shqiptarët si shtet i vogël që praktikisht nuk prodhon asgjë duhet ta kapi me patjetër.

Jemi tashmë dëshmitarë të botës para dhe pas vulgarizimit të internetit (përdorimit nga të gjithë). Që nga nëntori i vitit 2022 një tjetër «para dhe pas» po instalohet. Chat GPT ka ndryshuar krejtësisht qasjen ndaj prodhimtarisë intelektuale. Nga recetat e kuzhinës, tek përgjigjet e mail-eve, nga kodimi i programeve, tek zgjidhjet e problemeve të përditshme, nga shkrimi i artikujve në gazeta tek botimi i librave, kjo teknologji po transformon punën e çdo profesioni. Ekspertët e fushës, pavarsisht avancimit të jashtëzakonshëm me Chat GPT 4, bien dakort që akoma kjo inteligjencë nuk i afrohet asaj njerëzore, por 90 % e tyre mendojnë që tejkalimi i inteligjencës njerzore në të gjitha fushat, atë që ata e quajnë Inteligjenca Artificiale Gjenerale (GIA), është shumë pranë. Disa prej tyre thonë që edhe kjo do të jetë një fazë kalimtare dhe brenda 7-10 vitesh do kemi Super Inteligjencën (SI) e cila tejkalon miliona herë inteligjencën njerëzore.

Ky realitet do shkundë të gjithë botën ekonomike, politike e sociale duke krijuar pabarazi të tjera të cilat do të jenë e natyrës konjiktive e intelektuale. Ky revolucion në historinë e njerëzimit ka rreziqe por edhe përfitime të pafundme. Ndalimi i këtij revolucioni për të parandaluar rreziqet është i pamundur, e para për arsye gjeopolitike, sepse Kina e cila e ka marrë shumë seriozisht këtë garë  do dominonte botën dhe së dyti sepse për ta parandaluar këtë revolucion do duhej një diktaturë shumë e egër, sepse siç e thashë më lart mjafton vetëm një laptop për të pasur akses.

Çfarë qasje ka shteti shqiptar për këtë realitet që është në të nesërmen e afërt ? Sigurisht dëgjojmë parashtesa dhe prapashtesa « SMART » në projektet qeveritare. Nga «Bariu Inteligjet» që karikon celularin me panel diellor tek, së fundmi, «Shkollat Smart», përveç fshehjes së vjedhjeve nëpërmjet tenderave të fondeve të bashkimit Europian apo atyre të shtetit, nuk ka asgjë «smart» në to. Sipas një investigimi të portalit Oligarkia, «Shkollat Smart» ishin vjedhja e rradhës me tender të 15 milion eurove për të furnizuar shkollat me laptopë. Një iniciativë që përsëritet për herë të dytë, ku pavarsisht rritjes me dy herë të kompjuterave nga hera e parë, fondi ishte rritur me pesë herë. Kjo është një temë tjetër, por ndalemi pak tek koncepti «Smart». Pra një shkollë do jetë «e zhgjuar» sepse do të ketë laptopë për përdorim nga nxënësit. Kjo do ishte një iniciativë e mirë para 20 vitesh, për të studiuar informatikë, për prodhimin e një dokumenti word apo për të kundruar në internet. Sot jemi në një realitet krejt tjetër dhe askush nuk flet. Kemi nje klasë intelektuale të papërgjegjshme dhe një kabinet qeveritar kryesisht injorant dhe të padobishëm për sfidat që na presin.

Shkollat dhe universitetet shqiptare janë në gjendje të mjeruar, të tilla janë edhe programet mësimore. Të prapambetura dhe që do përgatisin gjeneratatat e ardhshme për debate streile dhe profesione që nuk do të ekzistojnë. Situata bëhet edhe më dramatike kur flasim për nivelin e mësuesëve gjithnjë në rënie, bashkë me kriteret e pranimit apo motivimin e këtyre të fundit. Urgjenca për të reformuar dhe modernizuar sistemin arsimor bëhet edhe më ulëritëse për të ardhmen e afërme që askush nuk flet. Gjeneratat e dala nga bankat e shkollave shqiptare do jenë qytetarë të dorës së dytë në një botë që po shkon gjithnjë drejt globalizimit dhe adaptimit me inteligjencën artificiale.

Elitat politike dhe intelektuale kanë detyrë të guxojnë ta fusin në debat publik këtë temë. Ta trajtojnë me seriozitetin më të madh me ekspertë të të gjitha fushave. Ky tren ecën shumë shpejt, por duhet kapur. Të përgatisim shoqërinë, kryesisht gjeneratat e reja për të nesërmen e afërt ku inteligjenca artificiale do zhvillohet në progress gjeometrik. Që universiteti të mos përfundojë një kosh i madh plehrash, duhet të nxiten më të mirët të shkojnë drejt katedrave. Po ashtu, formimet profesionale dhe projektet në këtë fushë të mos reduktohen në banalitete si Akademia e Barinjve por të bëhen (apo konsultohen) studime serioze mbi të ardhmen e profesioneve.

Përveç universiteteve dhe shkollave profesionale, aparati i shtetit duhet të jetë ne njohje të plotë të këtij zhvillimi teknologjik. Injorantë dhe teknofobët do të çojnë shoqërinë shqiptare në qorrsokakun e rradhës. IA, në versionet e tyre më të avancuara nuk janë më papagajë që përsërisin veten, por potencial që nesër të zgjidhë shumë probleme në fushen e mjekësisë, energjitikës e ndoshta të marrë edhe rolin për të përzgjedhur partnerin dhe profesionin e ardhshëm. Mos përgatitja për këtë realitet do të krijojë një shoqëri me sindromën e inferioritetit dhe padobishmërisë në një botë e cila ecën në këtë tren me një shpejtësi të paarritshme nga Shqipëria që nuk arriti të kapë as atë me avull.

Turizmi nuk është e ardhmja e Shqipërisë. Iluzioni që kanë krijuar vitet e fundit, është produkt i një kurioziteti të përkohshëm për një vend të pazbuluar më perpara. Turizmi do jetë burim të ardhurash për një elite ekonomike, por kurrsesi burim i rritjes së mirqënies së shqiptarëve. Përkundrazi. Ky lloj turizmi veç do ti shtrejtojë jetën shoqërisë shqiptare. Shqipëria gjithsesi ka mundësi të kapë trenin e rradhës, pasi ka humbur të gjithë ata qe  i kanë kaluar më përpara : të përgatitet për garën ku garuesit janë relativisht pa eksperiencë. Të prodhojë inteligjencë. Për këtë nuk duhen uzina, mjafton vullnet dhe ndërgjegjësim.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco