Problematikat e sportit dhe zgjidhjet e shumëpritura

Problematikat e sportit dhe zgjidhjet e shumëpritura

19:19, 25/08/2023
A+ Aa A-

Nga Edison Gjoni

Sporti në Shqipëri prej vitesh po kalon një krizë të thellë në të gjitha aspektet dhe kjo si pasojë e shumë faktorëve që ndërthuren me njëri-tjetrin duke e bërë situatën për fat të keq,të pashpresë. Investimet shumë të limituara nga ana e qeverisë në infrastrukturë,mungesa totale e financave sidomos në sportet e lojërave me dorë apo në sportet individuale,mbajtja e sportit jashtë vëmendjes së politikave zhvilluese dhe më kryesorja mungesa e një ligji të sponsorizimit në sport,janë faktorët kryesorë të situatës ku ndodhemi.

Ka mjaft specialistë që kanë lëshuar alarmin për atë që po ndodh në sport sepse të rinjtë gjithmonë e më shumë po largohen nga sporti duke e braktisur atë në mënyrë fatale.Fondet vidhen ose investohen në rrugë pa krye ndërsa rezultatet maten me një kohë tjetër siç është ajo e monizmit që për hir të së vërtetës kishte sport masiv dhe të privilegjuar.

Përse kjo mungesë dashamirësie (për të mos thënë keqdashje)për të zhvilluar politika mbështetëse në sport?A mos vallë nga mungesa e njohurive apo informacionit? Nuk besoj. Mjafton të hedhim sytë jo shumë larg nesh,tek vendet e rajonit tonë apo më ngushtë akoma,në Kosovë. Nuk është e nevojshme të shpikim gjëra që i kanë bërë të tjerët shumë kohë më parë se ne,mjafton të kopjojmë(apo as kaq nuk dimë?). Është jo e rastësishme që sporti ynë është gjithmonë e më pak konkurrues apo fitues në sporte të veçanta,madje duke humbur terren dhe në ato disiplina ku kemi pasur një lloj tradite dhe kemi lënë gjurmë. Dhe kriza më e madhe me të cilën ballafaqohet sporti në këtë moment është financimi. Shteti vijon të mbështesë me shifra minimale federatat sportive,fonde këto që nuk mjaftojnë për të mbajtur zyrtarët me paga për të mos përmendur financimin që bëjnë bashkitë me taksat e taksapaguesve shqiptarë që lëshohen si lëmoshë në klubet përkatëse.

Përse shteti nuk shpëton një herë e mirë nga sporti?E ka shumë të thjeshtë të miratojë një ligj për sponsorizimin i cili ka vite që dergjet nëpër sirtaret e komisioneve parlamentare duke u lënë në harresën dhe në pluhurin e kohës. Miratimi i këtij ligji do ishte  fillimi i ringritjes së sportit në Shqipëri.Ndoshta shifra e favorizimit ndaj biznesit mund të negociohet,nuk kemi mundësi ti falim 30% sa Kosova?E fillojmë me 20%,e rëndësishme është ta çojmë biznesin tek sporti dhe jo sportin si lypsar tek biznesi.

 Kjo nuk do të sillte thjesht zhvillim në sport por do të krijonte hapësira për vende të reja pune për njerëzit më të kualifikuar,do të rriste investimet në infrastrukturë dhe do zgjeronte bazën e atyre që do merreshin me sport. I fituar do të ishte dhe shteti në rritjen e imazhit në sytë e qytetarëve të tij  që aq shumë e ka merak. Duke parë realitetin e sportit sot,sa thamë më lart duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë por kjo është e vetmja rrugë për të zgjidhur problemet shumëvjeçare të tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco