Ndërthurja e përfshirjes të të rinjve në politikë me eksperiencën e më të mëdhenjve: Një formulë për një politikë të qëndrueshme në Shqipëri

Ndërthurja e përfshirjes të të rinjve në politikë me eksperiencën e më të mëdhenjve: Një formulë për një politikë të qëndrueshme në Shqipëri

13:26, 24/08/2023
A+ Aa A-

Nga Neada Stana.

Shqipëria, si një vend me sfida të shumta politike, ekonomike dhe sociale, ka nevojë kritike për të inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve në politikë. Për të krijuar një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për vendin. Është thelbësore që të rinjtë të angazhohen në proceset vendimmarrëse. Ky angazhim i të rinjve do të sjellë ide të reja, energji dhe vizion të ri për të formuar një Shqipëri më të fortë nga ana politike.  

Strukturat qeverisëse, institucionale dhe ligjore në lidhje me të rinjtë dhe angazhimin e tyre në politikë hasin në sfida dhe mangësi. Përfshirja e të rinjve në proçeset politike dhe vendimmarrëse është e pamjaftueshme, nuk ka një kuadër të qartë dhe të përshtatshëm për të inkurajuar dhe mbështetur kontributin e tyre. Është i nevojshëm rishikimi dhe forcimi i kuadrit politiko-ligjor në të gjitha nivelet, qoftë ai kombëtar apo lokal.  Gjithashtu është e nevojshme të ndërmerren hapa për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe institucional, si dhe për të ndërtuar mekanizma të përshtatshëm që inkurajojnë dhe ndihmojnë në zhvillimin e angazhimit politik të të rinjve.

Këto janë disa nga propozimet e mia: 

Përshembull nëpërmjet përfshirjes së edukatës politike në sistemin arsimor, ne hapim një derë të rëndësishme drejt angazhimit të të rinjve në sferën politike. Duke krijuar module të veçanta për edukatën politike në kuadër të mësimdhënies që në gjimnaze, ne kultivojmë një brez të ri të informuar dhe të gatshëm për të marrë pjesë në proçeset politike. Kjo përgatitje i jep atyre një informacion më të plotë të mekanizmave demokratikë dhe mbi rëndësinë e rolit të tyre në politikë.

Gjithashtu bashkëpunimi dhe dialogu aktiv me të rinjtë është i domosdoshëm për të nxitur angazhimin e tyre në politikë. Qeveria dhe institucionet politike duhet të kenë mekanizma të përbashkët për të dëgjuar zërin e të rinjve dhe për të inkurajuar pjesëmarrjen e tyre në hartimin e politikave dhe proçeseve vendimmarrëse.

Përfshirja e të rinjve në organet vendimmarrëse, përfshirë qeverinë lokale dhe kombëtare, është një tjetër mënyrë për të inkurajuar angazhimin e tyre në politikë. Në kodin zgjedhor duhet të miratohet një ligj i posatçëm për përfshirjen e të rinjve në listat për kandidat nga partitë politike. Nevojitet një reformë e politikave për të inkurajuar pjesëmarrjen e të rinjve në skenën politike. Një nga veprimet që mund të ndërmerren është ndryshimi i Kodit Elektoral, ku mund të përfshihen kuota për të rinjtë në listat e partive politike. Për shembull, një mundësi është që të kërkohet që të paktën një nga çdo gjashtë kandidatë të jetë nën moshën 30 vjeç.

Në kulturën shqiptare, përvoja dhe dija e të më të vjetrëve vlerësohet shumë sepse kanë përjetuar periudha të ndryshme të zhvillimit të Shqipërisë dhe kanë mësuar nga sfidat dhe arritjet të kohëve të ndryshme. Ata duhet të shërbejnë si mentorë dhe këshilltarë për të rinjtë në politikë. Ata mund të ndihmojnë në udhëheqjen dhe orientimin e të rinjve, duke ndarë me ta dijen dhe mendimet e tyre. Shqipëria ka një histori politike komplekse, më të vjetrit janë lidhur ngushtë me ngjarjet dhe proceset e kësaj historie. Ata mund të sjellin një prespektivë të gjatë kohore që ndihmon në kuptimin e ngjarjeve të sotme dhe në marrjen e vendimeve të rëndësishme politike.

Është e rëndësishme të theksohet se për të pasur një sistemit politik të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, duhet të ketë një balancë të rregullt ndërmjet më të vjetrëve dhe të rinjve. Të rinjtë sjellin frymë të re dhe ide inovative, ndërsa të më të vjetrit sjellin eksperiencën dhe maturinë. Një bashkëpunim mirëfunksionues midis këtyre dy grupeve mund të sjellë përparim dhe zhvillim të qëndrueshëm për politikën në Shqipëri.

Në sistemin aktual të Shqipërisë, shihet një favorizim i politikanëve në moshë të madhe, të cilët perceptohen si të pazëvendësueshëm për zhvillimin e politikës në vend. Mirëpo, është koha që të ndërmerren hapa drejt ndryshimit, është e rëndësishme të ketë një balancim të brezave dhe një ndërthurje. Ky qëllim mund të arritet duke rishikuar rregullat dhe ligjet në mënyrë që të mos bëhen pengesë për të rinjtë, këto gërshetime brezash do prodhonin politika më të forta dhe më të qëndrueshme. 

Për shembull, aktualisht në Shqipëri, kandidati për president duhet të jetë të paktën 40 vjeç, një kufizim shumë i lartë krahasuar me standardet europiane. Në shumë vende të Europës si Danimarka, Norvegjia, Hollanda, Franca, Finlandia dhe Spanja, mosha minimale për të qenë president është 18 vjeç, ndërsa ky kufizim në Shqipëri e bën të vështirë përfshirjen e të rinjve. Propozimi im është që të konsiderohet një moshë minimale prej 25 vjeç, që do t'i mundësonte të rinjve ta shohin politikën si një mundësi të vlefshme dhe të mos ndihen të diskurajuar për shkak të kufizimeve të moshës. Gjithashtu, është e arsyeshme që detyrimi që presidenti të jetë i martuar të hiqet, pasi martesa nuk duhet të jetë një kriter vendimtar për këtë pozicion.

Si përfundim, sfidat politike, ekonomike dhe sociale që ballafaqon Shqipëria kërkojnë një ndryshim të thellë në mënyrën se si të rinjtë ndikojnë në jetën politike të vendit. Përmes edukatës politike, përfshirjes aktive në proceset vendimmarrëse dhe përdorimit të përvojës së më të vjetrëve si udhërrëfyes mund të shkojmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm politik. Ndryshimet ligjore, përfshirja e të rinjve në organet vendimmarrëse dhe ulja e kufizimeve moshore për poste kyçe si presidenti, do të ndihmonin në krijimin e një politike më gjithëpërfshirëse, më të fortë dhe më të qëndrueshme për të ardhmen. Përkushtimi ndaj bashkëpunimit dhe balancimit midis brezave është rruga e duhur për të formuar një shoqëri më të përgjegjshme dhe politika më të qëndrueshme.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco