Rikthimi i taksës së sheshtë si alternativë për rivitalizimin e ekonomisë shqiptare

Rikthimi i taksës së sheshtë si alternativë për rivitalizimin e ekonomisë shqiptare

17:35, 05/08/2023
A+ Aa A-

Nga Klea Duçka/

Ekonomia e Shqipërisë po përballet aktualisht me një krizë të rëndë,e cila ka ardhur duke u thelluar dhe përkeqësuar si pasojë e politikave të gabuara ekonomike të ndjekura nga qeveria aktuale dhe keqmenaxhimit të financave publike që prej ardhjes në pushtet, si dhe tronditjet e ekonomisë të shkaktuara nga faktorë të jashtëm si pandemia e Covid-19 dhe lufta në Ukrainë. Klima ekonomike është karakterizuar nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, niveli i lartë i papunësisë, dhe rënia e investimeve të huaja. Për të adresuar këto problematika dhe për ti hapur rrugë rimëkëmbjes ekonomike, lind midis të tjerash nevoja e reformimit të sistemit tatimor dhe më konkretisht e kalimit nga taksimi aktual progresiv, në atë të sheshtë (flat tax). Një politikë e tillë tatimore është propozuar në vitin 2008 nga qeveria Berisha dhe zbatuar gjatë periudhës së qeverisjes së saj. Synimi i idesë për rikthimin e moderuar të taksës së sheshtë është ai i thithjes së investime të huaja, stimulimit të rritjes së GDP-së reale, si dhe i luftës ndaj informalitetit, duke mundësuar në këte mënyrë rigjallërimin e ekonomisë shqiptare. 

Përpara se të kalojmë tek benefitet dhe detajet e riimplementimit të këtij sistemi tatimor, le të bëjmë një pasqyrë të shkurtër të klimës ekonomike në vend, për të kuptuar, ndërmjet të tjerash edhe disa nga arsyet e mosfunksionimit të taksimit progresiv të zbatuar aktualisht nga qeveria Rama.

Kriza aktuale në Shqipëri karakterizohet kryesisht nga këta katër faktorë kyç:tronditjet e shkaktuara prej së jashtmi, niveli i lartë i papunësisë, rënia e investimeve të huaja dhe ekonomia informale. Ngjarjet globale si pandemia e Covid-19 kanë goditur rëndë dy sektorë të ekonomisë tejet të ndjeshëm ndaj tronditjeve të jashtme: atë të turizmit dhe remitancat, nga të cilat varet veçanërisht ekonomia shqiptare. Nga ana tjetër, niveli i lartë i papunësisë, sidomos tek të rinjtë, i thelluar si pasojë e një stagflacioni (lidhjes proporcionale mes rritjes së inflacionit dhe papunësisë)  kryesisht përgjatë 3 viteve të fundit, ështe shoqëruar me largimin masiv të tyre nga vendi, duke shkatuar kështu humbje të kapitalit njerëzor dhe forcës së punës. 

Ndërkohë, kushtet e pafavorshme ekonomike dhe sistemi tatimor kompleks i taksimit kanë çuar në zvogëlimin e investimeve të huaja direkte dhe krijimin e një ekonomie informale, e cila e vështirëson proçesin e grumbullimit të taksave duke ulur apo dëmtuar të ardhurat qeveritare.

Ajo që është e nevojshme të nënvizohet në lidhje me taksën progresive, e cila zbatohet aktualisht në shumë vende të BE është se ideja e normës së tatimit që rritet me rritjen e të ardhurave nuk ka në vetvete moral të qortueshëm.Megjithatë, ajo nuk mund të jape frytet e pritshme apo funksionojë me të njëjtin efikasitet në kushtet e paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike, keqfunksionimit të institucioneve dhe evazionit të lartë fiskal.Në këto rrethana, ajo jep efektin e kundërt, duke nxitur shmangien e detyrimeve dhe duke bërë që të pasurit të përfundojnë duke paguar sa një punonjës i thjeshtë me page minimale, sic edhe po ndodh aktualisht. Vlen të përmendet se në këtë situatë, FMN, nga kundërshtari më i madh i taksës së sheshtë, u kthye në mbështetësin më të madh të saj, duke i kërkuar në mënyrë të përsëritur qeverisë së majtë aplikimin e taksës së sheshtë.

Në këto rrethana, shkallët relativisht të ulëta të taksimit, sidomos kur janë në shkallë të vetme, synojnë të disiplinojnë sjelljen e taksapaguesve dhe rrisin incentivat për të paguar, duke minimizuar kështu mundësinë e evazionit fiskal apo zvogëluar informalitetin.

Si dhe përse mundet riaplikimi i taksës së sheshtë në këto kushte të mundësojë daljen e ekonomisë shqiptare nga kriza dhe stimulojë rritjen ekonomike? Le të shohim fillimisht në retrospektivë benefitet që kjo politikë tatimore i solli ekonomisë gjatë periudhës së qeverisjes së PD. 

Aplikimi i taksimit të sheshtë i propozuar në vitin 2008 dhe i zbatuar nga qeveria Berisha bëri të mundur në sajë edhe të diferencës mes shkallës efektive progresive të tatimit në masën 8% dhe shkallës unike të flat tax, lehtësimin e përmbushjes së detyrimeve tatimore për individët dhe bizneset duke thjeshtuar në këtë mënyrë proçesin e grumbullimit të taksave dhe rritur të ardhurat qeveritare nga tatimet me rreth 35% , duke i krijuar qeverisë së atëhershme resurset e nevojshme për të investuar në shërbime publike dhe projekte infrastrukturore  me rëndësi. Gjithashtu, norma konkurruese e taksës së sheshtë prej 10% për individët dhe bizneset krijoi kushte të favorshme për tërheqjen e investitorëve të huaj, duke nxitur investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe duke mbështetur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.

Për të aktualizuar dhe risjellë politikën tatimore flat të vitit 2008 pas gati 15 vitesh dhe për ta implementuar me sukses në kushtet e tanishme ekonomike të Shqipërisë, është i nevojshëm hartimi i një strategjie të mirëmenduar, e cila mund të ndjekë hapat e propozuara më poshtë:

1.Rregullimi gradual i normës së tatimit: Norma e tatimit mund të ndryshohet në mënyrë graduale me synimin për t’i krijuar kohën e nevojshme agjentëve ekonomikë për t’u përshtatur me sistemin e ri tatimor. Për vitin e parë, mund të aplikohet një ulje progresive e taksës nga 15% në 12%.

2. Stimulantët tatimorë: Ofrimi i stimulantëve tatimorë si p.sh. ulja e normës së tatimit për bizneset e vogla dhe ulja e taksës nga 23% në 13% për ndërmarrjet që gjenerojnë të ardhura të larta dhe me kapacitet të madh krijimi të vendeve të punës në sektorët strategjikë të ekonomisë.

3. Krijimi i një administrate tatimore dixhitale: Për të rritur efikasitetin e mbledhjes së taksave dhe reduktuar kostot administrative, lind nevoja e dixhitalizimit të plotë të sistemit tatimor. Kjo nënkupton implementimin e një aplikacioni apo website-i të dedikuar për tatimpaguesit dhe rregjistrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve. Ky aplikacion apo website mund të dizenjohet sipas modelit austriak të Finanzamt, (Drejtoria Tatimore në Austri), faqja e së cilës, FinanzOnline, i ofron taksapaguesve të gjitha shërbimet tatimore në menyrë të shpejtë dhe efikase.

4. Përfshirja e kontributeve të sigurimeve shoqërore në taksën e sheshtë: Taksa e sheshtë nuk mund të jetë e plotë nëse aplikohet vetëm mbi të ardhurat personale dhe korporative. Duhet konsideruar mundësia e përfshirjes së kontributeve shoqërore në sistemin e ri tatimor.

5. Rrjetat e Sigurisë Sociale: Këtu nënkuptohet garantimi i ndihmës për personat më të prekur nga reforma tatimore dhe mbrojtja e një fashe të pagave të ulëta, të cilat nga 0 të tatueshme, do t’i nënshtrohen direkt normës së re tatimit.

6. Shqyrtimi i mundësisë së përfshirjes së TVSH-së në taksën e sheshtë: Për të marrë në konsideratë këtë lloj ndryshimi, është e nevojshme bërja e një analize të hollësishme dhe gjithëpërfshirëse të impaktit ekonomik të një ndryshimi të tillë: efekti mbi inflacionin, konsumin, sektorët e ndryshëm ekonomikë dhe të ardhurat e qytetarëve.

7. Integrimi i fermerëve në skemën fiskale: Aktualisht sektori bujqësor përbën 1/5 e ekonomisë në vend, por fermerët nuk janë pjesë e skemës fiskale. Skemat e mëparshme që parashikonin rregjistrimin e fermerëve kanë rezultuar të dështuara, prandaj këtu mund të konsiderohet mundësia e zbatimit të një takse proporcionale (lump sum tax) si një formë e taksës së sheshtë.

Suksesi i reformës së propozuar më lart, varet sigurisht nga rivendosja e stabilitetit politik, funksionimi i strukturave anti-korrupsion dhe një qeverisje transparente, duke krijuar kështu një mjedis që rrit besimin e investitorëve, i mbron ata juridikisht dhe minimizon rrisqet e investimeve. Kushte të favorshme sidomos për investimet e huaja krijon thjeshtimi i rregullave dhe zvogëlimi i pengesave byrokratike në sistem. Për implementimin e reformës në mënyrë efikase, është i domosdoshëm zhvillimi i infrastrukturës strategjike, sidomos për procesin e dixhitalizimit të administratës tatimore.

Implementimi me sukses i taksës së sheshtë, ndonëse i vështirë në rrethanat aktuale ekonomike, do të krijojë mjedis të favorshëm biznesi, promovojë investimet dhe hapë më shumë vende pune, duke rivitalizuar kështu ekonominë dhe rritur potencialin ekonomik të Shqipërisë si vend me aspirata drejt mirëqenies në nivel europian.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco