Mbas traut vendosën edhe titrat

Mbas traut vendosën edhe titrat

17:34, 24/05/2023
A+ Aa A-

Nga Ilir Seci

Në vitin 2016, Edi Rama e pati vendose traun e taksës për shqiptarët e Kosovës në Kalimash, (Kukës), me pretendimin se “rrugët paguhen kudo në botë”… kanë kalue 7 vjet qysh se u vendos trau i pagesës për vllaznit tanë dhe sot e kësaj dite vazhdon me qenë i vetmi tra pagese në territorin e Republikës së Edvinistanit...

Argumenti se “me taksën e traut paguhet mirëmbajtja e rrugës” çuditërisht nuk vlen për autostradat e Jugut të Edvinistanit, si për shembull udhët që shkojnë në Kakavijë apo Kapshticë… ato autostrada rezulton se nuk kanë nevojë për taksim mirëmbajtje… vetëm “Rruga e Kombit” duhet taksue… Shembull ilustrativ standarti të dyfishtë… flasim për dy-standardësi. 

- “Natyrisht mbas Traut kanë me pasue Titrat” - kjo ishte gjaja e parë që mu ndërmend kur lexova se televizioni zyrtar i qeverisë në Tiranë, “Top Channel”, na paska transmetue nji film shqiptar nga Kosova me titra “shqip”!? Medemek sipas “TopKanalit” të ujnave te zeza të qeverisë "Rama", filmat shqiptarë nga Kosova duhen shfaqe me titra sepse gjuha e tyne nuk kuptohet në studiot septike të TopKanalit…

Sipas fekalistëve të TopKanalit gjuha shqipe e filmave të Dardanisë nuk na u kuptoka nga shqipfolësit që ndjekin TopKanalin e qeverisë, prandaj duhen titrosë në kostallarishten e vitit ‘72… 

Interesante kjo sepse kur shqipet e Kosovës shkojnë si pushues në bregdetin e Jugut pronarët teleshikues të TopKanalit e kuptojnë çdo të folme të Dardanisë për sa kohë që në vend të titrave janë €urot… e kuptojnë atë të folun në Jug siç e kanë kuptue fort mirë në Zvicër, Gjermani, Belgjikë e Angli a ku tjetër në Europë, kur u ka ngusht tesera e Partisë dhe u lypnin ndihmë për punë shqiptarëve të Kosovës që kishin shkue atje para tyne…

Kur shqipja nga Kosova paguen çmimet e krypuna të hoteleve e lokaleve në Jug apo kur i ndihmon me gjetë punë në Europë, e kuptojnë për bukuri dhe nuk u nevojiten titra… në ato raste e folmja u ndijon si muzikë e nuk u doket e “trashë” aspak…

Kjo topkanalosje e radhës edhe njiherë dëshmon se sa dritëshkurtë dhe e pavend ka qenë vendosja e Kostallarishtes si gjuhë letrare në vitin 1972, viti kur me dekret diktatorial të Enverit u shpall si “gjuhë letrare” e folmja e Zonës së Parë Operative nga ku vinin anëtarët e Byrosë Politike, drejtuesit e Sigurimit, të Ushtrise dhe shumica e kryetarëve të Degëve të Brendshme të RPSSH-së.

E ashtëquejtuna “Gjuha Letrare” gjithshka asht, por vetëm standard gjithëpërfshirës i shqipes nuk asht, sepse asht ekstremisht lokale për me qenë totale…

Prandaj duhet shpërfillë Kostallarishtja që u vendos si hallkë fyti në qafën e skllevërve… hallkë që ia nxan frymën folësve dhe nuk i lejon me u marrë vesh ndër veti…

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco