'Shpopullimi', kauza politike për opozitën!

'Shpopullimi', kauza politike për opozitën!

17:54, 08/10/2022
A+ Aa A-

Nga Julian Hoxhaj

Shpopullimi i Shqipërisë nuk është mit! Dëshmitë janë nga fermerët pa punëtorë në Myzeqe a Korçë, te restorantet pa kamarirë në gjithë bregdetin. Te fshatrat pa nxënës me shkolla të mbyllura, te spitalet pa mjekë e infermierë. Tek universitetet me fluks në degët e infermierisë dhe mbyllje të programeve të mësuesisë. Shpopullimin e gjen kudo, më i pranishëm se kurrë nuk ka qenë as në vitin 1990, kur dëshira për të ikur nga Shqipëria kishte 45 vjet motive të forta për të braktisur vendin.

Nuk ka qenë, besoj unë, as në 1997 e pas saj, kur shqiptarët mes veti nxitën një konflikt, që nxinë historinë e këtij vendi. Sot, shpopullimi është më shumë se një plagë, me përmasat e një sëmundje endemike, që ka prekur çdo ind e nerv të Shqipërisë e familjes shqiptare. Nuk ka sot një familje shqiptare, që së paku një anëtarë i saj është larguar në emigrim pa kthim pas vitit 2013. Unë personalisht kam disa, vetë jam duke e menduar çdo ditë mundësinë për të ikur! E trishtë dhe e dhimbshme, por ky është fakti, kjo është e vërteta!

Dje, teksa dëgjoja takimin e kryetarit të PD Sali Berisha me banorët e Gjirokastrës, nga shumica cilësuese e qytetarëve që morën fjalën, emëruesi i përbashkët i tyre ishte shpopullimi! Si gazetar që prek çdo ditë realitetin social të vendit nga Vermoshi në Konispol e nga Devolli në Vlorë, e di mirë këtë plagë! Por sot, ky është një realitet.

Hemoragjia vijon, në Rinas, dhe tashmë që unë shkruaj, janë në pritje disa avionë që presin të imbarkojnë të rinj e të reja shqiptare, për t`i dërguar drejt Gjermanisë, Francës, Anglisë, drejt shpresës, drejt të panjohurës… Sot, nevoja është më urgjente se kurrë, opozita e ka në dorë, kazua e emigrimit duhet të pasohet me akt. Një platform e gjerë social-ekonomike, duhet të hidhet në opinionin publik si shpëtim i Shqipërisë nga pandemia vdekjeprurëse e kombit, shpopullimi!

Duhet ndalur! Si? Kjo është pyetje, që tashmë i takon opozitës t`i japë përgjigje. Por, mjafton në fakt, të shohësh faktorët e largimit masiv të shqiptarëve, për të gjetur dhe dignozën. Mjafton të premtosh politika thelbësisht pro aktive ekonomike dhe sociale për të rinjtë, të premtosh politika proactive pro familjes, pro pronës, kundër krimit, korrupsionit, varfërisë, pasigurisë, dhe kjo plagë ndalet! Ndalet mjaft kollaj. Mjafton të “vjedhësh” politika të Viktor Orban, që edhe pse Europa nuk e do, për të ndalur këtë problem që po gërryen shoqërinë tonë.

Të gjitha këto janë themelore për të ndaluar fenomenin. Ky është akti i parë! Por kaq nuk mjafton. Rruga e atyre që ikin tani, nuk duhet të jetë pa kthim. Bashkë me premtimin për t`u siguruar votën, opozita ka detyrën tashmë, që këta të rinj ti rikthejë përsëri në Shqipëri. Këta të rinj duhet të kenë garancinë, se atë që bëjnë në Gjermani do ta bëjnë dhe këtu.

Do të paguhen njësoj, do të lehtësohen nga taksat, do t`u rimbursohen sigurimet, do të nxiten të investojnë. Duhet patjetër që opozita të garantojë se me ardhjen në pushtet, plani për ndaljen e shpopullimit, do të jetë ndër aktet e para. Programi politikë i Partisë Demokratike duhet të parashikojë lehtësira fiskale jo vetëm në aspektin e punësimit, por dhe të strehimit, shëndetësisë dhe familjes. Kjo është e vetmja rruga për të ndalur braktisjen dhe rikthyer të rinjtë në vend.

PD e ka eksperiencën, mjafton të merret shembull mandati i parë qeverisës 2005-2009, dhe nuk do të jetë e vështirë të ndodhin të gjitha këto. Sot, opozita ka në dorë një nga kauzat më të mëdha sociale, që jo vetëm shërben për të siguruar mbshtetje qytetare, por sigurisht, është karta e saj për të ardhur në pushtet. Nëse opozita bind qytetarët për të ndaluar këtë hemoragji, ka fituar besim dhe ka dhënë garanci. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco