Lajmi i fundit

LIVE/ Komisioni i Ligjeve, raporton kreu i SPAK

Socializmi po mbetet pas në Europë

Socializmi po mbetet pas në Europë

14:23, 15/05/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partitë e punëtorëve nuk po funksionojnë

Nga Charlemagne – The Economist/

Kushdo që ndihet i dëshpëruar për trajektoren e karrierës së vet, le të mendojë pak për politikanët socialistë në Europë. Në fillim të shekullit, mbi dy të tretat e qytetarëve të Bashkimit Europian jetonin në vende të drejtuara nga liderë të qendrës së majtë. E ardhmja e kontinentit dukej e kuqe, ose të paktën me nuanca rozë. Sigurisht, figura si Gerhard Schröder në Gjermani dhe Tony Blair në Britani nuk ishin socialistë të thekur; ata nuk synonin të rrëzonin kapitalizmin, por të zbusnin tepricat e tij. Megjithatë, mënyra e tyre për të marrë idetë më të mira të së djathtës dhe për t'i përzier me parime të majta e humbi shpejt shkëlqimin. Deri në vitin 2016, numri i europianëve që jetonin në vende të drejtuara nga socialdemokratët kishte rënë në vetëm një të tretën. Ata që mendonin se lavjerrësi do të kthehej sërish majtas, u zhgënjyen, dhe pastaj u zhgënjyen përsëri. Sot vetëm tre nga 27 liderët kombëtarë të BE-së janë progresistë, Pedro Sánchez në Spanjë, Mette Frederiksen në Danimarkë dhe Robert Abela në Maltën e vogël. Ata përfaqësojnë vetëm një të dhjetën e popullsisë së unionit.

Shumë shpejt mund të jenë edhe më pak. Me 8 maj u njoftua se zonja Frederiksen dështoi në përpjekjen e saj fillestare për të formuar një qeveri koalicioni pas zgjedhjeve të marsit. Zëvendëskryeministri i saj, Troels Lund Poulsen, u ngarkua nga mbreti për të parë nëse grupimi i tij centrist mund të krijojë një aleancë, duke e çuar kështu Frederiksenin në opozitë. Ajo mund të gjejë ende një mënyrë për të qëndruar në pushtet, edhe pse i çoi socialdemokratët në rezultatin e tyre më të dobët elektoral në më shumë se një shekull. Por edhe nëse Danimarka i jep një "shpëtim", kjo do të ishte pak ngushëlluese për socialistët e tjerë europianë. Frederiksen është një rast i veçantë në të majtën kontinentale, pasi ka pasur sukses pjesërisht duke qenë dukshëm e ashpër ndaj emigrantëve, një formulë që shumë në kampin e saj e shohin si tradhti ndaj rrënjëve humaniste të ideologjisë së tyre. (Ata janë më të kënaqur me gatishmërinë e saj për t'u përballur me Donald Trump-in, i cili pa dashje e ndihmoi në sondazhe duke kërcënuar se do të pushtonte Groenlandën.)

Dikur partia e punës, qendra e majtë në Europë sot kalon shumë kohë duke kërkuar vetë punë. A mund të bëhet kontinenti një zonë pa socialistë, të paktën në krye të politikës kombëtare? Sánchez është shpresa e fundit e madhe e së majtës, por ai do të përballet me votuesit brenda një viti dhe partia e tij është pas qendrës së djathtë. Nuk është e qartë kush mund ta zëvendësojë si figurë kryesore për mbrojtësit e proletariatit europian. Holanda është i vetmi nga dhjetë vendet më të mëdha të BE-së ku socialistët (pas bashkimit me një ish rival të Gjelbër) kanë arritur një epërsi të ngushtë në sondazhe, dhe zgjedhjet nuk do të mbahen edhe për katër vite. Disa vende më të vogla mund të prodhojnë qeveri të majta, si Suedia apo Finlanda. Në Gjermani dhe Poloni, qendra e majtë është partnere e vogël në koalicione qeverisëse; në Rumani, së fundmi, ajo rrëzoi një të tillë.

Por është më e vështirë se kurrë të imagjinohet e majta në pushtet në një vend me ndikim real në çështjet e BE-së. SPD-ja gjermane është goditur në zgjedhjet e fundit rajonale dhe qëndron rreth 13% në sondazhe kombëtare, pas qendrës së djathtë, AfD-së ksenofobe dhe të Gjelbërve. Në Francë, asnjë socialist nuk po del mirë në sondazhe përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm (kandidati i vitit 2022 mori vetëm 1.8% të votave). Në shumë pjesë të Europës Qendrore mezi ekziston një parti socialiste për të konkurruar, jo më për të fituar. Përtej disa bashkive, fuqia e vetme që socialistët mbajnë është në nivelin e BE-së, por edhe ajo është dobësuar shumë. Qendra e djathtë mban shumicën e posteve kryesore në Bruksel dhe po zbaton një agjendë deregulimi, pavarësisht kundërshtimeve të progresistëve.

Çfarë shkoi keq? Studime të shumta akademike e lidhin rënien e së majtës me zhdukjen graduale të fabrikave, porteve dhe minierave që dikur ishin "habitati" natyror i socializmit. Për një kohë, qendra e majtë dukej se e zëvendësoi mirë klasën punëtore me shtresën e të diplomuarve: më pak punëtorë krahu, më shumë mësues. Në rregull. Megjithatë, sfida për t'u përshtatur me kohën duhej të ishte edhe më e madhe për rivalët historikë të socialistëve, demokristianët. Ata u përballën me një kontinent ku kishat boshatiseshin edhe më shpejt se sallat e sindikatave. Njëfarësoj, qendra e djathtë ia doli, ndërsa e majta jo.

Më i fortë ka qenë ndikimi i fragmentimit politik. Dikur socialdemokratët ishin një nga dy opsionet kryesore në fletët e votimit në Europë. Edhe pas humbjeve, cikli politik zakonisht i kthente në pushtet me kalimin e kohës (siç ndodh ende, për shembull, në Amerikë, ku demokratët pritet të fitojnë terren në zgjedhjet e ndërmjetme në nëntor). Fragmentimi i sistemeve politike europiane në shumë parti ka prekur edhe të djathtën, por socialistët e kanë parë pjesën e tyre të votave të gërryhet nga tri drejtime. Parti të tjera të majta, si të Gjelbrit apo grupime më radikale marksiste, kanë fituar terren. Disa votues të majtë janë larguar drejt qendrës politike, veçanërisht në Francë nën Emmanuel Macron-in (dikur ministër në një qeveri socialiste). Ndërkohë, shumë zona post-industriale "të lëna pas dore", që dikur votonin për progresistët, janë kthyer drejt populistëve të djathtë.

Një trëndafil i krasitur

Një interpretim optimist i vështirësive të së majtës është se perspektiva e saj e zbehur pasqyron sukseset e së kaluarës. Kush në Europë sot e vë në dyshim rëndësinë e pensioneve, pushimeve të paguara, taksimit të të pasurve dhe parimeve të tjera socialiste? Megjithatë, drejtuesit e kësaj lëvizjeje paralajmërojnë kundër vetëkënaqësisë. Vetëm sepse të drejtat sociale janë fituar në të kaluarën, nuk do të thotë se nuk janë në rrezik, thotë Giacomo Filibeck, sekretar i përgjithshëm i Partisë së Socialistëve Europianë, që bashkon partitë e majta në kontinent.

Në Europë ka ende shumë punëtorë. Ata mund të shqetësohen për inteligjencën artificiale që u merr vendet e punës, njësoj si paraardhësit e tyre dikur për mbylljen e minierave. Megjithatë, pak prej tyre mendojnë se e majta politike i përfaqëson. Socialistët kaluan dekada duke paralajmëruar se kapitalizmi do të shkatërronte vetveten. Ironia e hidhur është se ishte ai që i gëlltiti i pari. /The Economist – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco