Askush nuk mendon se do të bjerë pre e një mashtrimi financiar, derisa kjo t’i ndodhë. Ekspertët paralajmërojnë se mashtruesit po përdorin metoda gjithnjë e më të sofistikuara për të vjedhur para dhe të dhëna personale, ndërsa miliona njerëz në mbarë botën po bëhen viktima çdo vit.
Sipas të dhënave të fundit, vetëm gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth katër milionë raste mashtrimi financiar, ndërsa numri real besohet të jetë edhe më i lartë për shkak të rasteve të paraportuara.
Alarmi është rikthyer në vëmendje pasi Sam Little, ish-konkurrent i emisionit televiziv “The Traitors”, zbuloi se kishte humbur 40 mijë paund kursime pas një mashtrimi online. Ai pranoi se e konsideronte veten të kujdesshëm, por theksoi se mashtruesit mund të mashtrojnë këdo.
Ekspertët identifikojnë tre format më të zakonshme të mashtrimit që po përdoren aktualisht.
Mesazhet e rreme për të vjedhur të dhënat bankare
Një nga skemat më të përhapura janë mesazhet që pretendojnë se vijnë nga familjarë ose kompani të njohura. Mesazhe si “Përshëndetje mami, kam numër të ri telefoni” apo njoftime për dërgesa të humbura synojnë të bindin përdoruesit të klikojnë në linke mashtruese dhe të japin të dhënat e kartave bankare.
Mashtruesit përdorin më pas këto informacione për të kryer blerje ose transferta të paautorizuara.
Mashtrimet romantike në internet
Një tjetër metodë që po njeh rritje është mashtrimi romantik. Autorët krijojnë profile të rreme në platformat e njohjeve online dhe ndërtojnë marrëdhënie emocionale me viktimat për javë apo muaj të tërë.
Pasi fitojnë besimin e tyre, kërkojnë para duke pretenduar probleme shëndetësore, vështirësi financiare ose nevojën për të financuar një udhëtim për t’u takuar.
Investimet e rreme me inteligjencë artificiale
Ndër mashtrimet më moderne janë edhe ofertat e rreme për investime, ku përdoren video dhe reklama të krijuara me inteligjencë artificiale. Shpesh në to shfaqen figura të njohura publike që premtojnë fitime të shpejta dhe të larta.
Ekspertët paralajmërojnë se ndjenja e urgjencës është një nga armët kryesore të mashtruesve, të cilët kërkojnë që viktimat të veprojnë pa menduar gjatë.
Autoritetet këshillojnë qytetarët të mos klikojnë në linke të dyshimta, të mos ndajnë kodet e sigurisë bankare dhe të verifikojnë gjithmonë identitetin e personave apo kompanive me të cilat komunikojnë online.
Sipas specialistëve të sigurisë kibernetike, kujdesi dhe verifikimi i informacionit mbeten mbrojtja më e mirë kundër mashtrimeve që po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara.
© SYRI.net