FOTO/ ‘Njeriu i Memeve’ – Si ia doli Genc Sejko të vërë në lojë gjithë pushtetarët

FOTO/ ‘Njeriu i Memeve’ – Si ia doli Genc Sejko të vërë në lojë gjithë pushtetarët

11:43, 17/01/2018

Krijimet e tij ‘shkundin’ internetin, foto-montazhet po ashtu. I profilizuar në një oponencë të fortë me qeverinë, Genc Sejko mund të quhet Njeriu i Memeve në Shqipëri.

Kushdo i ka parë e i ka pëlqyer fotot e tij, të cilat në jo pak raste janë kthyer në burimin e informacionit për emisionet satirike televizive.

Me një ironi për t’u admiruar, një sens humori që gjendet shumë rrallë dhe me një sy kritik të fortë, krijuesi i këtyre fotove, Genc Sejko ka treguar për miqtë e Fax-it copëza nga puna e tij në rrjet.

Në një bisedë virtuale, Genci na rrëfen momentet e para kur krijimi i foto-montazheve nisi të kthehej në një angazhim ditor për të.

“Rastësisht. Në mos gabohem ishte viti 2015. Kur Rama doli në foto me një qengj në dorë. Gjatë përmbytjeve në jug të vendit.

Mu kujtua një pikturë e Jezusit me të njëjtën pozë.

Nuk bëra meme. Thjesht i bashkova fotot bashkë. Nganjëherë fjalët janë të tepërta,”thotë ai.

Por si e sheh ai kontaktin virtual me anë të fotove, a ka efekt multimedia në jetën e qytetarëve, në rradhët e të pakënaqurëve, tek ajo pjesë e shoqërisë që nuk ka shumë në dorë përveç një telefoni.

 “Fotoja ishte një super hit dhe u shpërnda shumë. Përfundoi deri në emisione televizive. Reagimi nga miqtë ishte shumë pozitiv. Kjo vërtetoi një shprehje angleze që thotë se: ‘Një foto vlen më shumë se 1000 fjalë’. Duke parë se njerëzit reaguan pozitivisht mendova të vazhdoja.

Qëllimi im është t’i hap qytetarëve një dritare tjetër nga ajo që u hap pushteti. Një dritare nga e cila unë shoh çdo ditë. Kur shoh që njerëzit i marrin fotot e mia dhe i përvetësojnë (dmth i postojnë si të tyret) më mbushet zemra plot. Sepse shoh që ia kam arritur qëllimit,”tregon Genci.

Genci e ndan jetën e tij mes Londrës dhe Tiranës. Distanca nuk e ka penguar që të ruajë perceptimin mbi realitetin në Shqipëri dhe të jetë me këmbë në tokë. E teksa e pyes për ‘dritaren’ e mendimit ndryshe, ai thotë:

 “Ndikon shumë. Pozitivisht dhe negativisht. Në aspektin pozitiv, duke qenë jashtë unë kam lirinë të shpreh atë që dua pa asnjë lloj censure. Kjo pasi unë nuk jam ekonomikisht i lidhur me Shqipërinë.

Aspekti negativ ka të bëjë me faktin se duke qenë larg, nuk i jeton problemet politike dhe sociale, por udhëhiqesh vetëm nga perceptimi.

Kur vij në Shqipëri bëj gjithmonë një rakordim të asaj që perceptoj me realitetin që shoh dhe prek kur jam aty.”

Ndryshe nga shumë shqiptarë që jetojnë jashtë, që kur bisedon me ta për Shqipërinë flasin me idealizëm e ia hedhin fajin rastësisë, duke u shkëputur nga problemet reale, Genci nuk e ndan përgjegjësinë e politikës nga ajo e shoqërisë.

“Klasa politike është produkt i shoqërisë. Injoranca nuk është justifikim. Sidomos në kohën kur ne jetojmë. Një pjesë e shoqërisë mashtrohet, një pjesë mashtron ndërsa një pjesë ndihmon në mashtrim. Këta të fundit janë më të urryerit tek unë,”-thotë Sejko.

Në një vëzhgim të profilit të tij në Facebook, ideja fillestare që të krijohet është se pas emrit ‘Genc Sejko’ mund të jetë një ekip i mirëfilltë PR-i.

Një kreativitet për t’u admiruar, por bashkë me emrin mund të nisin dhe problemet. Dhe kur ndalem tek kjo pyetje, Genci shpjegon pse presionet ndaj tij janë kohë e çuar dëm.

“Më kanë sharë shpesh në inbox. Por nuk merrem kurrë me ta. Nuk mund t’i bësh presion dikujt që nuk ka asgjë për të humbur. Plus që, një pjesë e mirë nuk e ka idenë se kush i bën fotot. Kjo pasi unë kam zgjedhur  të mos vendos logo. Prsh, më kanë thënë se Erion Veliaj mendonte se fotot e tij me Obamën ishin produkt i PD-së.

Me thënë të drejtën nuk më intereson kush bezdiset prej tyre. Jam i interesuar vetëm për të vërtetën,”thotë ai.

Kurioziteti për të ditur se nëse s’ka patur presione më së paku duhet të ketë patur oferta për të mos e shënjestruar më qeverinë, ai përgjigjet:

“Jo asnjëherë. Dëgjo! Në gjykimin tim: Këtyre nuk ja ndjen për asnjeri e për asgjë. Këta kanë një industri të tërë propagande. Për ta unë e disa të tjerë jemi thjesht një zë i mekur në fund të pusit.”

Për personazhe të tilla që pavarësisht angazhimeve, largësisë, gjejnë kohën dhe merren me problemet në vendin tonë dhe i komentojnë një një tjetër pikë vrojtimi, ka shumë interes se çfarë bëjnë ata në jetën jashtë internetit.

“Menaxhoj një biznes të vogël në Londër i cili për nga natyra nuk mund të bëhet kurrë i madh.

Kjo më jep kohë të mjaftueshme të lexoj për atë që ndodh në Shqipëri. Sa për syrin kritik, mendoj se është diçka gjenetike.

E kam pasur gjithmonë. Nuk është diçka për t’u mburrur, është mallkim.”-thotë Genci.

Në bisedë e sipër, Genci tregon pikëpamjen e tij të fortë opozitare, dhe shton se ajo që e habit më shumë është qëndrimi i opozitës. E pyes se sa njerëz me ‘zë të mekur’ duhen që tingulli të dalë nga pusi dhe se a ka plan të kthehet për t’iu bashkuar një grupimi politik dhe ai thotë:

“Nuk di të them por ajo që më habit është roli i opozitës. Shpesh pyes veten pse nuk e bën opozita këtë që bëj unë?!

Jo kurrë. Qasja ime është opozitare. Ata që më konsiderojnë sot si “aleat” nesër do më thërrasin “armik”.”

Si çdo njeri krijues që ka disa punë të veçanta që pavarësisht kohës ato mbeten të preferuarat, dhe Genci ka disa të tilla:

“Albumi me fotot e Erion Velisë duke imituar Obamën është një prej tyre. Foton e Trump që i drejtohet Ramës pas fitores. Por kjo është e preferuara ime.”

Genci aktualisht shpërndan në disa faqe humori të cilat janë në bashkëpunim me të tjerë personazhe të rrjetit, por jo në një faqe të tij ku popullariteti mund të ishte më i madh. Ai thotë se nuk i intereson reklama e vetes por krijimi i një mendimi kritik.

“Jo, për momentin jo. Bashkëpunimi me Altinin ka qenë shumë i frytshëm sepse ka mundësuar shpërndarjen e memeve.

Goxhaj më dha platformën nga e cila filloi çdo gjë.

Nuk kam qëllim promovimin e Gencit por të asaj që Genci mendon. Për sa kohë memet shikohen, shpërndahen dhe influencojnë mendimin kritik unë jam i kënaqur. “thotë Genci./ Faxweb.al

Disa nga MEMET më virale në rrjet realizuar nga Genc Sejko:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment