Trezeguet kujton aventurën me Juventusin në Serie B

Trezeguet kujton aventurën me Juventusin në Serie B

23:43, 27/06/2017

“Calciopoli? Çdo futbollist duhej të zgjidhte të ardhmen e tij, nëse qëndronte, ose largohej. Të qëndroje nënkuptonte të zhvilloje një kampionat në Serie B me 16 pikë penalizim. Në atë moment ndjeva detyrimin që t’i jap diçka Juventusit. Qëndruam për t’i dhënë një ndihmë dhe për të nisur një histori të re”.

Janë këto fjalët me të cilat David Trezeguet përshkruan dashurinë e tij për skuadrën e Juves dhe ngjyrat bardhezi.

Ish-sulmuesi francez u rrëfye për mikrofonin e “Premium Sport”, duke rikujtuar momentin e rënies së Juventusit nga Serie A, për në kategorinë inferiore të kampionatit italian.

“Gjithsesi, nga ana emotive, ai kampionat ishte i bukur. Kudo që shkonim ishte një festë dhe kishte shumë djem të sektorit të të rinjve. Fituam dhe u rikthyem menjëherë aty ku duhet të qëndrojë Juve, në Serie A”, vijoi Trezeguet.

“Sezoni 2001-2002 ishte më i bukuri për disa motive. Pas largimit të Inzaghit, Lippi më kishte zgjedhur për të luajtur në çift me Del Piero. Me Lippin pata një marrëdhënie shumë të bukur, më kujtohet që në fillim të vitit më tha që nëse do të kisha shënuar më shumë se 30 gola, atëherë do të duhej t’i bëja ndonjë dhuratë, në të kundërt do të ma bënte ai. Në fund të sezonit numëroja 35 gola në total.

Ishte një sezon fantastik, fituam titullin kampion në Serie A, pas disa vitesh, në javën e fundit, në atë 5 maj të famshëm. Për më tepër, unë arrita të fitoj trofeun e golashënuesit më të mirë dhe ajo ishte një ndjesi unike. Kam fituar të tjera kampionate me Juven, por i pari është ai që më shumë kujtoj”, përfundoi Trezeguet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco