Ja krijesat aliene që gjenden në Adriatik

Ja krijesat aliene që gjenden në Adriatik

19:21, 05/02/2017
A+ Aa A-

Janë plot 91 specie të panjohura që janë gjetur në katër portet italiane në Adriatik: Trieste, Venecia, Ankona dhe Bari.

Duket se shqetësimet e hershme të industrisë së peshkimit për çrregullimet qe vihen re në botën ujore, po fillojnë të marrin kuptim. Këto specie që janë zbuluar, vijnë me anijet tregtare nga Kina dhe vendet e tjera aziatike, por edhe nga Australia.

Nga vëzhgimet e bëra, 9 gjallesa janë potencialisht shumë të dëmshme për ujërat e Adriatikut. Ndër këto organizma janë për shembull Pseudopolydora vexillosa, e cila deri më tani është gjetur vetëm në Taivan dhe Hydroides elegans që vjen nga Australia. Gjithashtu, një gjallesë bivalvulare e quajtur Anadara e cila mendohet se ka ardhur nga Gjiri i Meksikës, konsiderohet si një ndër speciet më të rrezikshme në Mesdhe. Porti i Barit ka qenë epiqendra e kërkimeve jo vetëm për autoritetet italiane, por edhe ato ndërkombëtare që synojnë rregullimin e ujërave në detin Adriatik.

Deti Adriatik është deti mesdhetar me më shumë krijesa jo-autoktone, pra të huaja dhe të panjohura. Vetëm në portet italiane janë gjetur 15 specie jo autoktone, 11 nga të cilat në sipërfaqe të ngurta dhe 3 në sipërfaqe të lëvizsshme.

Sirenat e alarmit duhet të bien edhe në Shqipëri, pasi afërsia me portet e Barit dhe Ankonës bën që këto krijesa të lundrojnë edhe në pjesën shqiptare të Adriatikut. Përveç niveleve të larta të ndotjes të ujërave tona që vjen nga shkarkimi i anijeve të transportit në det, tashmë fauna ujore është pre edhe e organizmave të rrezikshëm që janë “importuar” nga kontinente të tjera.

Linjat e transportit detar, fermat e shumëllojshme të akuakulturës dhe ndotja e vazhdueshme e Mesdheut janë fajësuar gjithashtu për shumë nga këto krijesa të huaja për ekosistemet tona. Gati 1000 specie aliene detare janë regjistruar në shumatoren e detrave Mesdhetare deri tani dhe numri i tyre vazhdon në rritje.

AgroËeb.org i drejtoi disa pyetje një grupi peshkatarësh në Durrës për të marrë informacion nga personat që çdo ditë janë në kontakt me detin dhe gjallesat në të. Njazi Dimroçi, një peshkatar që ka eksperiencë 37 vjeçare me peshkim në Adriatik tregoi se nëse më parë ishte ngjarje e rrallë të ndesheshin me gjallesa të panjohura në rrjetat e tyre, këto vitet e fundit kjo është bërë një dukuri e përditshme.

Flamur Sano një tjetër peshkatar i vjetër thotë se ka dekada që merret me peshkim dhe mendonte që njihte me emër çdo lloj peshku apo gjallese, por kjo, sipas tij, nuk vlen më këto kohë. “Gjej në rrjeta jo rrallë disa tipe peshqish të shëmtuar apo gaforre të papara ndonjëhere apo edhe disa krijesa të tjera që nuk di çfarë emri t’i vendos”, thotë ai.

Peshkatarët tregojnë se i hedhin mbrapsht në det gjithçka që nuk njohin pasi nuk duan t’i bashkojnë me peshqit që dalin më pas në treg.

 

Numri i llojeve të përcaktuara të huaja në Adriatikun jugor dhe të mesëm është më e ulët se ajo në zonat veriore të basenit, mbi brigjet kroate, por ajo pritet të rritet për shkak të zgjerimit natyror të specieve të përcaktuara tashmë në Mesdheun qendror. Në një studim nga një grup ekspertësh të kryesuar nga Zenetos, për 14 lloje të identifikuara që tashmë janë të pranishme në pjesën greke të detit Jon, ka një rrezik të lartë të pushtimit të Adriatikut jugor në të ardhmen e afërt, për shkak të ujërave sipërfaqësore mbizotëruese që lëvizin drejt veriut përgjatë bregdetit shqiptar dhe malazez.

Shumica e këtyre llojeve janë tropikale dhe shanset e mbijetesës së tyre në Adriatikun jugor do të rriten në qoftë se temperatura e detit vazhdon ritmet e ngrohjes. Pritet që ndikimi i llojeve të huaja të gjallesave do të intensifikohet në të ardhmen në të gjitha rajonet e Mesdheut, duke përfshirë detin Adriatik. /ATA.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco