Pse lufta për Jeruzalemin do të ishte katastrofike?

Pse lufta për Jeruzalemin do të ishte katastrofike?

12:02, 07/12/2017

Nga të gjitha çështjet që shoqërojnë konfliktin shumëvjeçar mes Izraelit dhe Palestinës, asnjë tjetër nuk është më e ndjeshme sesa statusi i Jeruzalemit.

Qyteti i shenjtë ka qenë në qendër të përpjekjeve për vendosjen e paqes për dekada me radhë.

Qasja e Donald Trumpit ndaj tij kërcënon të shkatërrojë konsensusin ndërkombëtar të arritur me aq shumë mund, në një mënyrë tepër të rrezikshme.

Izraeli e cilëson Jeruzalemin, me vende të shenjta hebraike, myslimane dhe të krishtera, si kryeqytetin e tij të përjetshëm. Por historia e tij është e lidhur pazgjidhshmërisht me konfliktin që trazon rajonin prej dekadash.

Plot 70 vite më parë, pas fundit të dhunshëm të sundimit britanik, kur OKB-ja votoi për ndarjen e Palestinës në shtete hebraike dhe arabe, Jeruzalemi u përkufizua si entitet i veçantë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Por në luftën e 1948-s, ai u nda si Berlini gjatë Luftës së Ftohtë, në pjesën perëndimore e lindore, respektivisht nën kontrollin e izraelitëve dhe jordanezëve.

19 vite më vonë, në qershor të 1967-s, Izraeli pushtoi pjesën lindore, duke zgjeruar kufijtë e qytetit e duke e aneksuar atë, në një akt që nuk u njoh kurrë ndërkombëtarisht.

Njohja lidhet me çështje më të mëdha të territorit dhe paqes, e përplaset me kërkesat e palestinezëve që Jeruzalemi lindor të bëhet kryeqyteti i shtetit të pavarur palestinez.

Këndvështrimi i pranuar nga të gjitha administratat e mëparshme amerikane është se, statusi i qytetit duhet të diskutohet në negociata.

Analistët vlerësojnë se një ndryshim në qëndrimin e Shteteve të Bashkuara do të ishte katastrofik.

Përse ky reagim?

Jeruzalemi mban në vetëm disa qindra metra katrore, brenda mureve të Qytetit të Vjetër, vende të shenjta për miliarda njerëz.

Sheshi i Xhamive quhet Haram al-Charif (Shenjtorja Fisnike) nga myslimanët dhe Mali i Tempullit nga hebrenjtë.

Ky është vendi i tretë i shenjtë për Islamin.

Sipas traditës myslimane, kjo është shenjtorja më e largët ku profeti Muhamet ka vajtur.

Kubeja emblematike e Shkëmbit, me kupolën e saj të artë, ndodhet në shkëmbin ku profeti u ngjit në qiell, i hipur mbi pelën e tij me krahë.

Ky vend shpesh herë merr edhe emrin e xhamisë Al Aqsa që ndodhet aty.

Por, është gjithashtu edhe vendi më i shenjtë për herbrenjtë si vendi ku ndodhej tempulli i tyre.

Më poshtë gjendet Muri i Lotëve, një mur mbajtës i vjetër dhe mbetja e fundit e Tempullit të Dytë hebre në vitin 70 pas Krishtit, i shkatërruar nga romakët. Ky është vendi më i shenjtë ku hebrenjtë luten.

Kryeqytet për izraelitët…

Hebrenjtë e konsiderojnë Jeruzalemin, ish-kryeqytet të mbretërisë së Izraelit të mbretit David (Shek. X para Krishtit), si kryeqytetin e tyre historik prej më shumë se 3 000 vite për arsye fetare dhe politike. Që prej shkatërrimit të Tempullit të Dytë, judaizmi ka kërkuar gjithnjë një rikthim në Jeruzalem.

Edhe për palestinezët

Palestinezët pretendojnë Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të cilin duan të krijojnë. Ata përbëjnë një të tretën e një popullsie prej rreth 882 000 personash (sipas statistikave izraelite), por që shumica ndodhen në Jeruzalemin Lindor.

Jeruzalemi Lindor, që ka qenë nën kontrollin e Jordanisë, u pushtua nga Izraeli gjatë Luftës Gjashtëditore në vitin 1967 dhe më pas u aneksua. Për Izraelin qyteti u “ribashkua”. Një ligj themeltar i vitit 1980 ka vendosur statusin e Jeruzalemit si kryeqyteti “i përjetshëm dhe i pandashëm” i Izraelit.

Një vend tensionesh të vazhdueshme

Për izraelitët dhe palestinezët, Jeruzalemi është një simbol kombëtar dhe fetar i fuqishëm. Për palestinezët që kërkojnë pavarësi, mbrojtja e Jeruzalemit dhe Al Aqsa shërben si thirrje për bashkim.

Sheshi është vazhdimisht burim tensionesh. Për arsye historike, ai mbetet nën mbrojtjen jordaneze, por të gjitha hyrjet kontrollohen nga forcat izraelite. Hebrenjtë janë të autorizuar që ta vizitojnë, por jo të luten. Megjithatë, disa përpiqen vazhdimisht ta shkelin këtë ndalim, duke shkaktuar incidente. Palestinezët druhen se ajo që kritikojnë si cënime izraelite në këtë vend mund përfundojë me një marrje të plotë të kontrollit nga hebrenjtë.

Vizita e kreut izraelit, Ariel Sharon në shesh në vitin 2 000 do të shërbente për të filluar Intifadën e Dytë. Instalimi në vitin 2017 nga Izraeli i detektorëve të metaleve në të hyrje të këtij vendi kishte shkaktuar dy javë dhunë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Marsel08/12/2017 15:34

Vendimi I Donald Trump per shpalljen e Jeruzalemit kryeqytet te Izraelit eshte nje akt I panegocionueshem dhe I paprrcedente!I bet thirrje botes islame te shtype me dhune kete akt qe demton ekuilibrin e paqes qindrashekullore ne lindjen e mesme!

Shto koment