Axios: Ekipi i Trump planifikon bisedimet e paqes me Iranin, 6 kushte kyçe

Axios: Ekipi i Trump planifikon bisedimet e paqes me Iranin, 6 kushte kyçe

22:47, 21/03/2026

Tri javë nga fillimi i luftës, administrata e Donald Trump ka nisur diskutimet fillestare për fazën e ardhshme të konfliktit dhe për mënyrën se si mund të zhvillohen bisedimet e paqes me Iranin, bën të ditur një zyrtar amerikan, shkruan Axios

Edhe pse  presidenti Trump deklaroi se po shqyrton “uljen” e intensitetit të luftës, pritet që përplasjet të vijojnë edhe për dy deri në tre javë të tjera. Paralelisht, këshilltarët e tij po përpiqen të hedhin bazat për diplomacinë.

Në prapaskenë burimet bëjnë të ditur se në diskutime janë përfshirë edhe të dërguarit e Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff.

Një marrëveshje e mundshme për përfundimin e luftës do të kërkonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, adresimin e rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit, si dhe një marrëveshje afatgjatë për programin bërthamor, raketat balistike dhe mbështetjen për grupet aleate në rajon.

Megjithatë, nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit ditët e fundit. Sipas burimeve, vende si Egjipti, Katari dhe Mbretëria e Bashkuar kanë ndërmjetësuar mesazhe mes palëve. Egjipti dhe Katari kanë bërë të ditur se Irani është i interesuar për negociata, por me kushte të forta.

Kërkesat e Teheranit përfshijnë armëpushim, garanci që lufta nuk do të rifillojë dhe dëmshpërblime.

Nga ana tjetër, SHBA kërkon një sërë angazhimesh nga Irani, përfshirë: ndalimin e programit të raketave për pesë vite, zero pasurim uraniumi, çaktivizimin e reaktorëve në Natanz, Isfahan dhe Fordoë, si dhe kontrolle të rrepta ndërkombëtare mbi aktivitetet bërthamore.

Po ashtu kërkohet kufizim i raketave në nivel rajonal dhe ndërprerje e financimit për grupet aleate si Hezbollah, Houthis dhe Hamas.

Irani i ka refuzuar disa nga këto kërkesa edhe më parë dhe ka shprehur mosbesim ndaj negociatave me SHBA-në. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se normalizimi i situatës në Ngushticën e Hormuzit kërkon ndalimin e sulmeve nga SHBA dhe Izraeli.

Vetë Trump ka thënë se nuk është kundër bisedimeve, por aktualisht nuk është i gatshëm të pranojë kushtin për armëpushim. Ai gjithashtu e konsideron kërkesën për dëmshpërblime si të papranueshme, ndonëse zyrtarë amerikanë sugjerojnë se mund të ketë hapësirë për kompromis përmes kthimit të fondeve të ngrira iraniane.

Ndërkohë, administrata amerikane po përpiqet të përcaktojë se kush në Iran ka autoritet real për të negociuar dhe cili vend mund të shërbejë si ndërmjetës. Edhe pse Oman ka ndërmjetësuar bisedimet e mëparshme, SHBA po kërkon alternativa, me Katarin që shihet si një opsion i besueshëm.

Burimet bëjnë të ditur se ekipi i Trump dëshiron të jetë i përgatitur në rast se negociatat me Iranin konkretizohen në të ardhmen e afërt.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco