Të dielën në mbrëmje, stadiumi ‘San Siro’ do të jetë sërish skena e një prej përballjeve më të mëdha të futbollit italian: derbit mes Milanit dhe Interit. Kjo sfidë pritet të ketë peshë të madhe në garën për titull, pasi zikaltrit kryesojnë renditjen me dhjetë pikë më shumë se rivalët kuqezi.
Interi synon ta shfrytëzojë këtë përballje për t’iu afruar edhe më shumë titullit, duke kujtuar atë që ndodhi dy vite më parë, kur fituan derbin 2-1 dhe festuan titullin e 20-të në histori, duke vendosur edhe yllin e dytë në fanellë.
Megjithatë, statistikat e derbeve të fundit janë në favor të Milanit. Pikërisht ajo ndeshje ishte hera e fundit kur Interi festoi në fund të një derbi. Që prej atëherë, kuqezinjtë kanë marrë katër fitore dhe janë regjistruar edhe dy barazime. Milani ka fituar dy derbet e fundit dhe nuk arrin tri fitore radhazi në këtë përballje që nga sezoni 2010-2011.
Nga ana tjetër, në kampionat Interi po kalon një moment shumë pozitiv. Skuadra e drejtuar nga Cristian Chivu është e pamposhtur prej 15 ndeshjesh, me 14 fitore dhe vetëm një barazim. Ironikisht, kjo seri e pandalshme ishte ndërprerë pikërisht nga derbi i fazës së parë më 23 nëntor, kur Milani fitoi 1-0 falë golit të Christian Pulisic-it.
Shifrat e sezonit tregojnë forcën e Interit: vetëm një barazim në këtë periudhë, 64 gola të shënuar dhe 15 ndeshje pa pësuar gol. Milani, ndërkohë, ka rikuperuar 14 pikë nga disavantazhi gjatë sezonit dhe shpreson të mbajë gjallë garën për titull.
Në këtë derbi shumë pritet nga Federico Dimarco për Interin, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri do të mbështetet te talenti dhe shpërthimet e Rafael Leao-s për të mbajtur gjallë shpresat e Milanit për titullin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: