Barcelona arriti një fitore të madhe 3-0 në “Camp Nou” përballë Atlético Madridit në gjysmëfinalen e kthimit të Copa del Rey, por suksesi nuk mjaftoi për kualifikimin, pasi humbja 4-0 në takimin e parë rezultoi vendimtare.
Ndeshja ishte dramatike deri në sekondat e fundit. Barcelona kaloi në avantazh në minutën e 29-të, kur Lamine Yamal shërbeu për Marc Bernal, i cili realizoi për 1-0. Në fundin e pjesës së parë, pas një faulli të Marc Pubill ndaj Pedrit në zonë, gjyqtari akordoi penallti dhe Raphinha shënoi me qetësi për 2-0 (45+5’).
Në pjesën e dytë, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick shtoi presionin. Në minutën e 72-të, Joao Cancelo dhuroi një pasim të bukur me parabël, ndërsa Marc Bernal realizoi golin e tretë për 3-0. Fillimisht goli u rishikua nga VAR, por më pas u konfirmua.
Barcelona pati edhe raste të tjera të arta: Gerard Martin humbi një mundësi të pastër në minutën e 89-të, ndërsa pati pretendime për dy penallti pas rrëzimeve të Raphinhas (90+1’) dhe Lamine Yamalit (81’), por gjyqtari nuk akordoi asgjë.
Pavarësisht fitores me zemër dhe dominimit në shumë momente, rezultati i ndeshjes së parë vulosi eliminimin e katalanasve, duke lënë një shije të hidhur pas një nate plot emocione në “Camp Nou”.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: