Kjo javë do të mbetet gjatë në kujtesën e Brahim Diaz si një nga momentet më të vështira të karrierës së tij profesionale.
Të dielën, mesfushori kishte në këmbët e tij një mundësi historike: t’i jepte fund një thatësire 60-vjeçare për Marokun në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe të fuste emrin e tij në librat e historisë së futbollit maroken.
Por tentativa e tij nga pika e bardhë, e ekzekutuar me stilin “panenka”, u ndal nga portieri Edouard Mendy, duke e kthyer Brahimin në një nga figurat më të diskutuara të finales dhe duke ndezur polemika të shumta.
Luis Enrique del hapur në mbrojtje të Brahim Diaz
Në një moment delikat për lojtarin, në mbështetje të tij doli trajneri i Paris Saint-Germain, Luis Enrique. Edhe pse nuk është figura më e dashur në “Santiago Bernabeu” për shkak të së kaluarës së tij me Barcelonën, tekniku spanjoll u tregua i qartë në qëndrimin e tij.
Sipas Diario AS, Luis Enrique u shpreh:
“Sot folëm për atë penallti. Të gjithë po flasin për Brahimin, por unë kujtoj Zinedine Zidane, një perëndi të futbollit, që shënoi një panenka në finalen e Kupës së Botës. Kujtoj edhe Sergio Ramosin, që ka shënuar panenka në ndeshje shumë të rëndësishme. Shumë lojtarë e bëjnë këtë. Kur shënon, të gjithë të duartrokasin. Kur e humbet, lindin menjëherë opinionet negative.”
“Ai meriton respekt” – mesazhi i fortë i Luis Enrique
Trajneri vijoi duke theksuar anën njerëzore dhe profesionale të mesfushorit:
“Ai është një lojtar i shkëlqyer. E njoh personalisht dhe e kam drejtuar edhe me kombëtaren për një ndeshje. Është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe një njeri i madh. Është e padrejtë ajo që po ndodh. Ky është sporti: duhet të dish të fitosh dhe të humbësh. Nuk është fundi i botës. Më e rëndësishmja janë vlerat që u transmeton të rinjve. Ai nuk është kriminel apo njeri i keq. Ai meriton respekt. Aktualisht po kalon një moment të madh presioni.”
Brahim kërkon falje, Real Madridi i qëndron pranë
Pas finales, Brahim Diaz reagoi me një mesazh emocional në rrjetet sociale, ku kërkoi falje ndaj tifozëve dhe popullit të Marokut për penalltinë e humbur.
Në Madrid, klubi ka treguar unitet të plotë. Trajneri Alvaro Arbeloa dhe disa bashkëlojtarë kanë konfirmuar mbështetjen për mesfushorin pas rikthimit të tij, i cili u bë të enjten.
Brahim pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e radhës së Real Madridit ndaj Villarrealit, ndërsa klubi madrilen ka bërë të qartë se i qëndron pranë lojtarit në këtë moment të vështirë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: