Ndeshjet e radhës të Kupës së Shqipërisë kanë dhuruar emocione, gola dhe verdikte të rëndësishme për skuadrat që vijojnë rrugëtimin drejt trofeut. Viti 2026 ka nisur pozitivisht për disa prej ekipeve kryesore, mes fitoreve bindëse dhe kualifikimeve të arritura me shumë vuajtje.
Partizani e ka bërë detyrën pa vështirësi, duke mposhtur Burrelin me rezultatin e pastër 3-0 në “Arena e Demave”. Të kuqtë e zhbllokuan ndeshjen me një goditje spektakolare nga distanca të Rouen Hjumen, i cili shënoi nga rreth 25 metra. Më pas, fitorja u sigurua nga golat e Kontreras dhe Skukës, duke i garantuar Partizanit kualifikimin në çerekfinale dhe një vend në vazon e parë të shortit.
Emocione të forta u regjistruan në “Selman Stërmasi”, ku Tirana e “re”, e riformatuar pothuajse tërësisht në merkaton e janarit, u kualifikua me shumë vështirësi ndaj Skënderbeut. Bardheblutë dominuan pjesën e parë dhe kaluan në avantazh me golin e Mysloviç. Në pjesën e dytë, korçarët rritën ritmin dhe arritën barazimin me Janaqin në minutat shtesë, duke e çuar sfidën në kohën ekstra. Aty pati pak raste, por në fund shpërthimi i Ernest dhe finalizimi i saktë i Tares sollën golin e fitores 2-1 dhe kualifikimin e Tiranës në çerekfinale.
Dinamo gjithashtu e siguroi biletën për turin tjetër, duke mundur Besën 3-0 në stadiumin “Air Albania”. Skuadra e Ilir Dajës e zgjidhi shpejt ndeshjen, me Bernard Berishën që shënoi që në minutën e 12-të pas një gabimi të mbrojtjes kundërshtare. Bregu dyfishoi shifrat në minutën e 80-të, ndërsa Hekuran Berisha vulosi rezultatin në kohën shtesë. Edhe Dinamo do të jetë në vazon e parë në shortin e çerekfinaleve.
Ndërkohë, Bylisi u kualifikua pas një beteje të fortë ndaj Laçit, duke fituar 3-2 vetëm në kohën shtesë. Goli vendimtar për ballshiotët u shënua nga Abdullahi në minutën e 107-të, duke i dhënë fund një përballjeje dramatike.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: