PSV Eindhoven ka bërë të ditur përmes kanaleve zyrtare se ka arritur marrëveshjen për rinovimin e kontratës me Ivan Perišić-in deri në verën e vitit 2027. Lajmi është pritur me entuziazëm si nga klubi, ashtu edhe nga vetë lojtari.
“Kjo është një ditë e mrekullueshme për mua dhe familjen time,” tha Perišić pas firmës. “Sezoni i kaluar ishte i mbushur me emocione, me shumë gola e asistime nga ana ime dhe, mbi të gjitha, me fitimin e titullit kampion, që ishte momenti kulmor për të gjithë ne. Edhe tifozët ishin fantastikë, ndaj dua t’i falënderoj sinqerisht për mbështetjen.”
Pas një pushimi të merituar, kroati ka bërë të qartë se është i përqendruar maksimalisht te sezoni i ri: “Kam kaluar pushime të bukura, por që nesër rikthehem në punë me trajnerin për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme. E kaluara ishte pozitive, por unë jam i uritur për më shumë.”
Përveç rolit në fushë, Perišić ka theksuar edhe rëndësinë e ndikimit të tij tek të rinjtë: “E di sa e vështirë është të rritesh larg vendit tënd, unë vetë kam ikur në moshën 17-vjeçare. Dua t’u transmetoj brezave të rinj përvojën dhe rrugën drejt suksesit. Kemi shumë talente në skuadër dhe dua të jem udhërrëfyes për ta.”
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: