Partizani rikthehet në “Air Albania” për të luajtur ndeshjen vendimtare në rrugëtimin europian. UEFA ka dhënë miratimin zyrtar dhe tani gjithçka është gati për sfidën ndaj Kalju, më 17 korrik, ora 20:00, në kryeqytet.
Të kuqtë do të kenë avantazhin e terrenit vendas në përballjen e dytë, ndërsa ndeshja e parë do të luhet në Estoni, më 10 korrik. Skuadra e Skënder Gegës do të kërkojë të mbyllë llogaritë në Tiranë, me synimin e qartë për të kaluar turin dhe për të vijuar rrugën në Conference League.
Shorti, deri më tani, ka qenë i favorshëm për Partizanin. Nëse arrijnë të eliminojnë Kalju, në turin e dytë i pret fituesi i çiftit Hegelman-St. Patrik, një përballje e menaxhueshme për një skuadër që synon më shumë se kalimin e një turi.
Rikthimi në “Air Albania” nuk është vetëm një çështje logjistike, është një kthim simbolik në identitetin dhe ambicien e klubit: të luajë përballë tifozëve të vet, në skenën që i shkon për shtat.
Në Tiranë pritet futboll europian. Dhe Partizani është gati ta dhurojë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: