Portieri i ri i Barcelonës, Joan García, ka shkaktuar një tërmet të vërtetë mes tifozëve dhe drejtuesve të Espanyol-it, pasi zyrtarisht la klubin e qytetit për të firmosur me rivalët historikë.
Pas një darke me agjentin e tij Juanma López, të fejuarën dhe shokun e ri të skuadrës, Dani Olmo, në një restorant në Barcelonë, García shprehu gëzimin:
"Jam shumë i lumtur dhe mezi pres të firmos në praninë e presidentit Laporta."
Por ky vendim i portierit nuk u prit mirë nga Espanyol-i. Ish-presidenti Joan Collet e kritikoi ashpër:
"Më shqetëson fakti që ai shkoi me ‘përbindshin’. Ai tradhtoi shokët, trajnerin dhe tifozët. Mënyra se si veproi ishte jo e drejtë."
Edhe ekonomisti dhe tifoz i Espanyol-it, Gonzalo Bernardos, reagoi me ashpërsi në rrjetet sociale:
"Pse gënjeve kaq shumë njerëz? Ti ishe marrë vesh me Barcelonën, por puthje stemën e Espanyol-it. Kalove nga idhulli në tradhtar për shumë fëmijë."
Bernardos tha se García shkatërroi gjithçka që kishte ndërtuar gjatë dy sezoneve të fundit dhe se ai mund të kishte ikur me dinjitet “nga dera kryesore”, por zgjodhi “derën e pasme”.
Joan García, i lindur në vitin 2001, firmosi kontratë me Barcelonën deri në vitin 2031. Megjithatë, ky transferim te rivali i përjetshëm rrezikon të lërë një plagë të thellë mes tifozëve të Espanyol-it, një plagë që do të jetë e vështirë të shërohet.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: