KF Vllaznia ka publikuar një deklaratë zyrtare pas vendimit për të anuluar koncertin e planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi”, në prag të përgatitjeve për ndeshjet europiane. Klubi kuqeblu falënderon institucionet për ndërhyrjen dhe vendimin e marrë, ndërsa njofton se sfida e parë ndërkombëtare do të zhvillohet në “Elbasan Arena”, pasi tashmë është dorëzuar kërkesa në UEFA dhe nuk ka kthim pas.
Deklarata e plotë e KF Vllaznia:
KF Vllaznia falënderon Federatën Shqiptare të Futbollit për sqarimin e fundit zyrtar drejtuar Bashkisë Shkodër, ku kërkohet qartësisht anulimi i koncertit të planifikuar në stadiumin “Loro Boriçi”, për të garantuar standardet dhe organizimin korrekt të ndeshjeve ndërkombëtare.
Njëkohësisht, çështja është adresuar edhe në selinë e UEFA-s në Nyon, ku përfaqësues të klubit kanë ngritur shqetësimin mbi situatën. Zyrtarë të UEFA-s kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre kundër zhvillimit të aktiviteteve të tilla përpara ndeshjeve europiane, për shkak të rrezikut që i kanoset fushës dhe kushteve teknike të komplet impiantit sportiv.
Përshëndesim vendimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, z. Benet Beci, për të anuluar koncertin dhe ritheksojmë se kjo çështje nuk ka qenë kurrë personale apo politike, por thjesht dhe vetëm profesionale, në përputhje me rregullat e UEFA-s, FSHF-së dhe interesin e klubit si përdoruesi zyrtar i stadiumit dhe organizues i ndeshjeve.
Duke marrë parasysh afatet dhe protokollet ndërkombëtare, KF Vllaznia ka dorëzuar dje dokumentacionin zyrtar për zhvillimin e ndeshjes europiane në “Elbasan Arena”.
Ftojmë të gjithë tifozët kuqeblu që, si gjithmonë, të jenë pranë skuadrës edhe në Elbasan, me të njëjtin pasion dhe mbështetje të zjarrtë. Së bashku për Vllazninë, në këtë rrugëtim europian!
Le të kalojmë bashkë këtë tur dhe të rikthehemi në shtëpinë tonë për ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare dhe kombëtare, siç i ka hije Vllaznisë!
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: