Portieri katalanas, Joan García, nuk është më pjesë e Espanyol. Lajmi është zyrtarizuar sot, fillimisht nga vetë lojtari me një video lamtumire dhe më pas nga klubi, i cili reagoi me një komunikatë të shkurtër dhe të ftohtë, duke nënvizuar distancën emocionale pas këtij vendimi kontrovers.
García vendosi të aktivizonte klauzolën e largimit prej 25 milionë eurosh plus indeksimi për inflacionin (IPC), për t’u transferuar te rivali historik i qytetit, Barcelona, lëvizje që ka shkaktuar polemika të mëdha në ambientin bardhekaltër.
Espanyol-i kishte refuzuar të hynte në negociata për shitjen e tij, ndërsa një pjesë e madhe e tifozëve do të kishin preferuar ta shihnin portierin të transferohej jashtë Spanjës, ndoshta në Premier League, ku kishte interes konkret. Kalimi te Barça, megjithatë, është perceptuar nga shumëkush si një tradhti.
Në deklaratën zyrtare të klubit thuhej thjesht:
"Portieri Joan García ka paguar klauzolën e tij të largimit, 25 milionë euro plus indeksimin, dhe përfundon kështu fazën e tij si lojtar i RCD Espanyol."
Pakënaqësia ka përfshirë edhe qytetin e tij të lindjes, Sallent, ku së fundmi janë shfaqur mbishkrime fyese ndaj tij. Pas plot 15 vitesh me fanellën e Espanyol-it, Joan García nis një kapitull të ri me Barcelonën dhe vetëm koha do të tregojë nëse ky vendim do të rezultojë i drejtë për të.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: