Sezoni i ri i Premier League 2025/26 do të hapet me përballje të forta që premtojnë spektakël që në javën e parë. Të premten, më 15 gusht, kampionët në fuqi të Liverpool-it do të nisin mbrojtjen e titullit në shtëpi ndaj Bournemouth-it, një kundërshtar që e kanë mposhtur bindshëm në të kaluarën, përfshirë edhe fitoren historike 9-0 në vitin 2022.
Megjithatë, përballja më e shumëpritur e javës do të luhet të dielën, më 17 gusht në “Old Trafford”, ku Manchester United do të presë Arsenalin. “Topçinjtë”, që kanë përfunduar të dytët në tri sezonet e fundit, do të kërkojnë të nisin mbarë rrugëtimin drejt titullit të parë që nga viti 2004. Fitoret ndaj United në “Old Trafford” kanë qenë të rralla, vetëm dy në 18 vitet e fundit, por trajneri Mikel Arteta shpreson ta ndryshojë këtë prirje, pavarësisht mungesës së përforcimeve deri tani.
Nga ana tjetër, Manchester United, që përfundoi në vendin e 15-të sezonin e kaluar, ka nisur të ndërtojë një skuadër të re nën drejtimin e Ruben Amorim-it. Portugezi ka sjellë tashmë sulmuesin Matheus Cunha nga Wolves dhe shpreson të nisë me një fitore, veçanërisht pasi “Djajtë e Kuq” kanë rekordin më të mirë të fitoreve në javët hapëse të Premier League.
Tottenham-i nën drejtimin e trajnerit të ri Thomas Frank do të përballet me Burnley-n, që rikthehet në elitë me reputacionin e mbrojtjes më të fortë të sezonit të kaluar në Championship. Ndërkohë, dy skuadrat e tjera të promovuara, Sunderland dhe Leeds, do të presin respektivisht West Ham-in dhe Everton-in.
Manchester City, që humbi titullin pas katër sezonesh dominimi, do të udhëtojë drejt Wolves, një ekip që nën drejtimin e Vitor Pereira-s është kthyer në një nga formacionet më në formë në ligë.
Po ashtu, Chelsea do të përballet me Crystal Palace në derbin e parë londinez të sezonit, ndërsa Aston Villa dhe Newcastle do të hapin ditën e shtunë me një përballje që sjell kujtime nga sezoni 2023 kur “Magpies” triumfuan 5-1.
Sezoni 2025/26 do të zgjasë deri më 24 maj 2026, me 33 javë fundjave dhe pesë javë mesjave, duke premtuar një tjetër fushatë emocionuese.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: