Sapo nisi edicioni i ri i Botërorit për Klube, një turne që Gianni Infantino e sheh si mjet për globalizimin e futbollit. Por, ndërsa FIFA sheh të ardhmen e sportit, kritikët si Jorge Valdano janë shumë më skeptikë.
Legjendë e Real Madridit dhe ish-trajner, Valdano, përmes një editoriali të publikuar në “El País”, e përshkruan këtë kompeticion si një tregues ku paraja ka marrë frenat dhe po shkatërron shpirtin e futbollit:
“Ky Botëror nuk është thjesht një garë, por një skenar interesi ku të mëdhenjtë europianë kanë një avantazh të pakapërcyeshëm ndaj skuadrave nga kontinentet e tjera. Ky hendek është aq i madh, saqë edhe Amerika e Jugut, me kombëtaret e saj brilante, nuk arrin të konkurrrojë me klubet e Europës.”
Valdano pyet me shqetësim: “A mendon dikush për tifozët në këtë cirk? Ka ndeshje që tërheqin vëmendjen, por shumë prej tyre janë një torturë për spektatorin. E megjithatë, të gjithë shohim sesi më të mirët vazhdojnë të luftojnë për lavdinë, reputacionin. Ky është kurthi i futbollit modern: na manipulojnë emocionalisht dhe ne e pranojmë.”
Sipas tij, ky Botëror është një devijim komercial i futbollit që po vret thelbin e tij: “Nga viti 2020, lëndimet muskulare janë rritur me 25%, sepse lojtarët luajnë pa pushim, udhëtojnë shumë, dhe përballen me stres fizik dhe mendor të jashtëzakonshëm. Një paradoks i madh ku të gjithë, klube, lojtarë, tifozë, bëhen bashkëfajtorë në këtë sistem shfrytëzimi, ku ata që vuajnë më shumë, shpesh janë edhe më të përfituarit ekonomikisht.”
Lojtarët kalojnë vite duke luajtur 60-70 ndeshje, udhëtojnë me orë të tëra, përballen me presionin e medieve dhe performancës, por shpesh fitojnë më shumë se ç’kishin ëndërruar. Ata ankohen pak, sepse sistemi siguron privilegje dhe fitime të mëdha. Ndërsa spektakli sjell para të mëdha, askush nuk ka interes ta ndërpresë këtë magji.
Valdano e përmbyll me një reflektim të rëndë: “Ky Botëror i Klubeve është vetëm një kapitull tjetër i lakmisë që po shkatërron futbollin. Nuk ka viktima të qarta që të ndezin alarmin, sepse të gjithë duan më shumë para, dhe tifozët vazhdojnë të konsumojnë, edhe pse kritikojnë. Loja po kthehet në një simulim të vetvetes, një shfaqje ku emocionet e vërteta po zbehen.”
Në fund, ky turne për të bërë para do të shpërblejë të gjithë përveç tifozëve, që janë të vetmit që humbasin, mbytur nga ndeshje pa jetë, me pak gëzim të vërtetë për të festuar.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: