Distria Krasniqi ka siguruar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm për Kosovën, duke u kualifikuar në finalen e madhe të Kampionatit Botëror të xhudos, që po zhvillohet në Budapest. Me këtë arritje, ajo tashmë e ka të sigurt medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë.
Pejania ishte dominuese në gjysmëfinale, ku mposhti spanjollen Ariane Toro Soler pasi kjo e fundit u ndëshkua me tri penalizime, çka i dha fitoren Distrias. Para këtij dueli, ajo kishte eliminuar brazilianen Jessica Pereira, portorikanen Francine Echevarria dhe hungarezen Reka Pupp.
Në finalen e madhe, që premton emocione të mëdha, Krasniqi do të përballet me rivale të fortë, xhudisten japoneze Uta Abe.
Ndërkohë, Kampionati Botëror vazhdon me garat e tjera: Akil Gjakova do të zbresë në duel të dielën, ndërsa Laura Fazliu do të garojë të hënën.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: