Kosova ka fituar një emër të ri për përfaqësuesen: Veldin Hoxha, mesfushor 22-vjeçar, që aktivizohet te Rubin Kazani i Rusisë, ka vendosur zyrtarisht t’u bashkohet “Dardanëve”.
Lajmi u konfirmua nga vetë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili e prezantoi me krenari talentin e ri në radhët e kombëtares.
“Me kënaqësi dhe krenari njoftojmë se mesfushori i njohur, Veldin Hoxha, tashmë është pjesë e Kombëtares së Kosovës!”, thuhej në deklaratën zyrtare të FFK-së.
Hoxha, i lindur dhe rritur në Kroaci, ka përfaqësuar më parë grupmoshat e Kombëtares kroate, por ka zgjedhur Kosovën për të vazhduar rrugëtimin ndërkombëtar. Me këtë vendim, ai jo vetëm që i jep Kosovës cilësi dhe thellësi në mesfushë, por edhe konfirmon lidhjen e fortë me rrënjët e tij.
Ky përforcim vjen në një moment ku Kosova është duke ndërtuar një identitet të fortë futbollistik dhe afrimi i lojtarëve me përvojë ndërkombëtare si Hoxha, është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së konkurrencës dhe ambicieve në arenën evropiane.
Mirësevjen, Veldin! Kosova ka nevojë për lojtarë si ti, të vendosur, teknikë dhe krenarë për fanellën që veshin.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: