FIFA ka ulur për herë të tretë çmimet e biletave për ndeshjen hapëse të Botërorit të Klubeve midis Inter Miami dhe Al Ahly, për shkak të shitjeve të ulëta dhe frikës se stadiumi ‘Hard Rock’, në Miami, mund të mbetet bosh. Pavarësisht se ndeshja pritet të tërheqë fansat për shkak të Lionel Messit, dhjetëra mijëra bileta ende nuk janë shitur.
Në stadiumin me kapacitet mbi 65,000 vende janë shitur rreth 25,000 bileta, por FIFA nuk ka konfirmuar shifrat. Për të stimuluar shitjet, FIFA ka përdorur një sistem dinamik çmimesh, duke ulur gradualisht çmimet: bileta më e lirë ka rënë nga 305 euro në vetëm 48 euro.
Çmimet për ndeshjet e tjera, veçanërisht ato të Inter Miami-t në fazën e grupeve dhe për skuadrat e njohura si Real Madrid apo Boca Juniors, mbeten më të larta. FIFA gjithashtu ka vendosur shpërblime të mëdha financiare, me fond total rreth 926 milionë euro, ku fituesi mund të marrë deri në 125 milionë dollarë.
Megjithatë, për disa ndeshje po haset vështirësi në shitjen e biletave, ndoshta për shkak të politikave të ashpra të imigracionit në SHBA, që i kanë bërë fansat të hezitojnë për të udhëtuar.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se nuk shqetësohet për këtë, duke theksuar se stadiumet në SHBA zakonisht mbushen për ngjarje të mëdha dhe shpreson që kështu të ndodhë edhe për këtë Botëror Klubesh.
Në përgjithësi, FIFA përballet me sfida të mëdha në promovimin e këtij turneu në SHBA, pavarësisht ‘yjeve’ si Messi dhe investimeve të mëdha.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: