Pas barazimit zhgënjyes ndaj Serbisë, Kombëtarja shqiptare ka përpara një tjetër sfidë delikate: përballjen me Letoninë në transfertë. Takimi zhvillohet sonte, në orën 20:45, në stadiumin “Skonto” të Rigës, dhe rëndësia e tij është maksimale për kuqezinjtë.
Skuadra e drejtuar nga Sylvinho është e vetëdijshme se vetëm një fitore e mban gjallë shpresën për kualifikim në fazën “Play-Off”, ndaj çdo hap i gabuar mund të jetë fatal. Shqipëria shkon në këtë duel me synimin e qartë për të thyer më në fund “mallkimin” leton.
Historiku i përballjeve mes dy kombëtareve nuk është në favorin e kuqezinjve: pesë ndeshje të luajtura, pesë barazime. Asnjë fitore për Shqipërinë, ndërkohë që të dy ekipet kanë shënuar nga 6 gola në përballjet e mëparshme. Një bilanc që kërkon domosdoshmërisht ndryshim.
Por këtë herë, rrethanat janë të tjera dhe motivimi është më i lartë se kurrë. Djemtë kuqezi pritet të futen në fushë me energji të reja, me vetëbesim dhe përqendrim maksimal. Fitorja është detyrim, jo vetëm për renditjen, por edhe për të dëshmuar rritjen dhe ambicien e kësaj skuadre.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: