Totti ‘shkund’ futbollin modern: Ka humbur teknika, duhet të rikthehemi te fëmijët

Totti ‘shkund’ futbollin modern: Ka humbur teknika, duhet të rikthehemi te fëmijët

14:47, 07/06/2025

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocione në eventin bamirës "Cur in campo", shumë figura të mëdha të futbollit italian u mblodhën për një qëllim fisnik. Por, si gjithmonë, Francesco Totti ishte qendra e gravitetit me pasime “magjike” pa parë topin dhe prekje elegante. Ish-kapiteni i Romës elektrizoi stadiumin.

Gjatë konferencës për shtypin, Totti nuk i kurseu fjalët për gjendjen e sotme të futbollit, duke “vendosur gishtin në plagë”:

“Futbolli i sotëm është më shumë muskul dhe më pak mendje. Më shumë vrapim, më pak fantazi. Ndryshimet janë të mëdha krahasuar me kohën tonë.”

Pa u ndalur vetëm në kritikë, legjenda romaniste dha edhe zgjidhjen:

“Nëse duam të rikthejmë bukurinë e lojës, duhet të nisemi nga baza, nga fëmijët. Edukimi teknik duhet të fillojë që herët. Talenti nuk mjafton nëse nuk rritet siç duhet. E them shpesh: futbolli mbetet i bukur, edhe kur nuk je më në fushë, por ne duhet t’i japim brezit të ri mjetet për ta bërë atë art.”

Një moment i veçantë ishte edhe përmendja e Zdenek Zeman-it, ish-trajner i tij dhe një ikonë e qytetit të Foggia-s:

“Zeman nuk është thjesht një trajner, por një filozofi më vete. I drejtë, i pasionuar, i çiltër. Ka formuar kampionë dhe ka ndryshuar mënyrën si shihej futbolli këtu. Respekti për të nuk mund të përmblidhet në fjalë.”

Në një kohë kur loja shpesh përkufizohet nga statistikat dhe sprintet, Totti na kujton se futbolli është gjithashtu ndjesi, elegancë dhe pasion. Dhe për ta rikthyer këtë frymë, gjithçka nis nga fëmijët me një top në këmbë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco