Federata Braziliane ka zyrtarizuar se Davide Ancelotti, djali 35-vjeçar i Carlo Ancelottit, do të jetë pjesë e stafit teknik të kombëtares braziliane. Dyshja Ancelotti do të punojë sërish së bashku, kësaj here në krye të "Seleçaos".
Davide pritet të mbërrijë në fundjavë në São Paulo për t’u bashkuar me stafin e trajnerit të ri të Brazilit, Carlo Ancelotti, i cili pritet të drejtojë kombëtaren në periudhën e re të pas-Tites. Kështu, rrugët e tyre profesionale nuk ndahen, duke vazhduar bashkëpunimin e suksesshëm që kanë pasur në klube si Real Madrid, Napoli dhe Everton.
Davide Ancelotti, i konsideruar prej vitesh një nga ndihmësit më të përgatitur në Evropë, nuk arriti të bëjë hapin e madh si trajner i parë. Pavarësisht kontakteve serioze me Rangers në Skoci dhe interesit nga disa klube në Spanjë, negociatat nuk u konkretizuan.
Te Rangers, drejtuesit kërkonin një profil më me përvojë në menaxhimin e presionit dhe pritshmërive të larta, ndërsa në Spanjë, mungesa e eksperiencës si trajner i parë ishte një pengesë vendimtare. Kështu, Davide vendosi të ndjekë sërish babanë e tij, Carlo Ancelotti, këtë herë në një aventurë të re me kombëtaren e Brazilit si ndihmës i tij. Një tjetër kapitull si “krah i djathtë”, por ende në pritje të mundësisë për të udhëhequr vetë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: