Pak ditë para përplasjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë më 7 qershor, UEFA ka zbuluar emrat e arbitrave që do të vendosin drejtësi në këtë duel të ndezur, i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Sfida do të zhvillohet në “Arena Kombëtare” dhe pritet me interes të madh për nga emocionet, rivaliteti dhe rëndësia në grup.
Për të garantuar rregullin në fushë është zgjedhur një emër me përvojë në arenën ndërkombëtare: Davide Massa. Arbitri italian, 43 vjeç, ka një CV të pasur në kompeticione europiane dhe ndeshje të mëdha të Serisë A. Por sa i përket Shqipërisë, kjo do të jetë vetëm hera e dytë që ai drejton një ndeshje të Kombëtares. E para? Një miqësore e harruar në nëntor të vitit 2015, kur Shqipëria barazoi 2–2 ndaj Gjeorgjisë në stadiumin “Qemal Stafa”.
Massa do të shoqërohet nga një trupë gjithashtu italiane: Filippo Meli dhe Ciro Carbone si asistentë, ndërsa Fabio Maresca do të jetë gjyqtari i katërt. Teknologjia nuk mungon: në dhomën e VAR-it do të jenë Aleandro Di Paolo dhe Daniele Doveri (AVAR).
Kujtojmë se kjo është ndeshja e tretë për Shqipërinë në këto eliminatore, pas humbjes ndaj Anglisë dhe fitores ndaj Andorrës.
Përballja në Tiranë pritet të jetë e zjarrtë, në fushë për pikë, në tribuna për krenari, e në mes… Davide Massa, i cili do të ketë detyrën delikate për të ruajtur qetësinë në një atmosferë që do të jetë gjithçka, përveçse e ftohtë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: