Arbër Hoxha: Luftojmë për Botërorin, jo për emocione momenti

Arbër Hoxha: Luftojmë për Botërorin, jo për emocione momenti

11:54, 04/06/2025

Në prag të dy sfidave delikate, ndaj Serbisë në Tiranë dhe Letonisë në transfertë, Arbër Hoxha u shfaq sot para mediave me një mesazh të qartë: përtej zhurmës dhe emocioneve, fokusi është vetëm te fusha dhe te rruga drejt Kupës së Botës 2026.

I pyetur për përballjen me Serbinë, sulmuesi kuqezi nuk nguroi të theksonte peshën e ndeshjes, por edhe besimin që ka në grupin kuqezi:

“Do të jetë një sfidë e fortë, e dimë mirë se Serbia ka cilësi, por jemi të përgatitur dhe të vendosur. Besojmë fort te fitorja.”

Në një klimë ku emocionet dhe tensionet janë të larta, Hoxha zgjodhi qetësinë profesionale.

“E dimë që kjo ndeshje ka një peshë të veçantë për tifozët dhe shoqërinë shqiptare, por ne duhet të luajmë me kokën në fushë. Kërkesat për bileta janë të çmendura, kjo tregon sa shumë e presin shqiptarët këtë përballje.”

Optimist për rrugëtimin kualifikues, Hoxha theksoi rëndësinë e çdo pike:

“Kjo ndeshje ndikon direkt për një vend në ‘play-off’. Objektivi ynë është Botërori dhe besoj se do ia dalim.”

I pyetur për konkurrencën me Nedim Bajramin, lojtari i Dinamos së Zagrebit u tregua i matur:

“Konkurenca është normale dhe të ndihmon të rritesh. Do të jap maksimumin sa herë të kem minutat e mia.”

Në fund, buzëqesh edhe për jetën personale: një unazë në dorë shkaktoi kureshtje.

“Jam i fejuar, së shpejti edhe do martohem,” – u shpreh ai mes të qeshurash.

Ndërsa intervista përmbyllej me një pyetje të befasishme – fitore ndaj Serbisë por humbje ndaj Letonisë – Hoxha u përgjigj me sinqeritet:

“Po, do ta pranoja. Por në fushë hyjmë gjithmonë për të fituar të dyja.”

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco