Barcelona, Lamine Yamal qartëson: Im atë nuk do të publikonte kurrë detaje nga kontrata ime

Barcelona, Lamine Yamal qartëson: Im atë nuk do të publikonte kurrë detaje nga kontrata ime

11:17, 03/06/2025

Lamine Yamal, ‘ylli’ i ri i Barcelonës, që ka rinovuar së fundmi kontratën deri në vitin 2031, ka dhënë një intervistë për emisionin ‘El Larguero’ të Cadena SER, ku ka ndarë disa momente interesante nga jeta e tij profesionale dhe personale.

Një nga temat kryesore ishte marrëdhënia me sulmuesin polak, Robert Lewandowski. Yamal pranoi se në fillim nuk kishin shumë lidhje, por gjërat kanë ndryshuar me kalimin e kohës:

“Marrëdhënia me Lewy-n është përmirësuar shumë. Kur u bashkova me ekipin e parë, isha thjesht një i ri nga akademia dhe nuk kishim shumë kontakte. Tani kemi një raport shumë të mirë, takohemi shpesh edhe jashtë fushës.”

Në javët e fundit në rrjetet sociale qarkulloi një foto e postuar nga babai i Yamal, e interpretuar nga disa si shifra e pagës së tij vjetore. Talenti spanjoll mohoi kategorikisht:

“Para se të firmosja, babai im po bënte shaka me presidentin Laporta. Po t’jua tregoja, do të qeshnit me të madhe. Nuk kishte fare lidhje me futbollin... im atë nuk do të publikonte kurrë asgjë që lidhet me kontratën time.”

Sa i përket vendosjes në fushë, Yamal theksoi preferencën për të luajtur në krah:

“Mendoj se gjithmonë do të jem një lojtar krahu, sepse më pëlqen situata ‘një kundër një’. Është e vërtetë që në qendër do të marr më shumë topa, por atje janë gjithmonë më shumë kundërshtarë. Me kalimin e viteve, besoj se do të nis nga krahët, por do të lëviz më shpesh drejt qendrës.”

Barcelona duket se ka në duar një tjetër ‘yll’ të së ardhmes, ndërsa Lamine Yamal po tregon pjekuri jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco