Neymar ka qenë protagonist i një episodi të diskutueshëm në ndeshjen ndërmjet Santos-it dhe Botafogo-s, ku ‘ylli’ brazilian u ndëshkua me karton të kuq pas një gjesti të ndaluar dhe të pakujdesshëm që i kushtoi ekipit humbjen.
Në minutën e 76-të të sfidës, me rezultatin ende të bardhë 0-0, Neymar shënoi një gol me dorë pas një krosimi në zonë. Gjyqtari e pa qartë episodin dhe e ndëshkoi menjëherë me kartonin e dytë të verdhë, duke e përjashtuar nga loja. Vetëm pak minuta më vonë, Botafogo shënoi golin e fitores në minutën e 86-të dhe mori tri pikë të rëndësishme, ndërsa Santos rrëshqiti më thellë në zonën e rënies nga kategoria.
Pas ndeshjes, Neymar reagoi në rrjetet sociale me një mesazh të sinqertë, por edhe të ngarkuar emocionalisht:
“Dua t’u kërkoj ndjesë shokëve të ekipit dhe tifozëve. Kam gabuar, më falni! Sot, po të mos isha ndëshkuar, jam i bindur që do t’i kishim fituar tri pikët. Mund t’i vini në llogarinë time!”, shkroi ai.
Megjithatë, sulmuesi nuk ngurroi të kritikonte gjyqtarin për vendimin e parë:
“Kartoni i dytë ishte i drejtë, por i pari ishte qesharak. Bëra një faull dhe menjëherë u ndëshkova... ka disa gjyqtarë që janë të paaftë. Ky është vetëm një mendim, ju lutem, mos më ndëshkoni më shumë.”
Neymar ka kontratë me Santos deri më 30 qershor dhe ende nuk është e qartë nëse do të qëndrojë. Për shkak të pezullimit, ai nuk do të jetë i pranishëm në sfidën e fundit para pushimit të kampionatit për shkak të Kupës së Botës për Klube, që nis më 12 qershor.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: