Partizani ka vendosur të mbështesë fuqishëm brezin e ri duke firmosur dy nga talentët më premtues të akademisë së tij, Dion Vata dhe Elson Himallari. Të dy lojtarët, të moshës vetëm 16 vjeç, tashmë janë zyrtarisht pjesë e skuadrës së parë me kontrata trevjeçare, duke u bërë kështu dy firmat e para të klubit pas mbylljes së sezonit.
Vata dhe Himallari kanë dhënë sinjale pozitive që prej debutimit të tyre në derbin e fundit ndaj Dinamo City për 'Final Four', duke treguar pjekurinë dhe gatishmërinë për të luajtur në nivel të lartë. Të dy janë produkt i akademisë së Partizanit dhe kanë shënuar suksese të mëdha duke fituar tituj kampion në kategoritë U-16 dhe U-17.
Njoftimi zyrtar i klubit thekson:
“FK Partizani me kënaqësi njofton arritjen e marrëveshjes me futbollistët Elson Himallari dhe Dion Vata. Dy lojtarët e talentuar, kampionë këtë sezon me ekipin U-16, tashmë janë pjesë e organikës së ekipit të parë. Himallari dhe Vata, të cilët debutuan me skuadrën në ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Dinamo City, janë produkt i Akademisë Partizani dhe kanë nënshkruar me klubin kontrata 3-vjeçare.”
Ky hap tregon besimin e fortë të klubit në zhvillimin dhe rritjen e lojtarëve të rinj, duke u dhënë atyre mundësinë për të shkëlqyer në arenën më të madhe.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: