Zyrtarizimi është pranë, Allegri rikthehet te Milani pas 11 vitesh

Zyrtarizimi është pranë, Allegri rikthehet te Milani pas 11 vitesh

20:50, 29/05/2025

Massimiliano Allegri dhe Milani janë bashkë sërish. Pas një lëvizjeje të shpejtë dhe vendimtare në orët e fundit, trajneri 57-vjeçar ka firmosur një kontratë dyvjeçare, me një opsion për vitin e tretë, që i garanton 5 milionë euro në sezon plus bonuse. Tashmë pritet vetëm njoftimi zyrtar i klubit për të nisur zyrtarisht epokën e re.

Allegri rikthehet në stolin ku fitoi titullin kampion në vitin 2011 dhe Superkupën italiane, përpara ndarjes së bujshme në janarin e ftohtë të vitit 2014, pas humbjes ndaj Sassuolos në Reggio Emilia.

Milan lëviz shpejt dhe godet

Kjo lëvizje e Milanit u bë urgjente jo vetëm për të zgjidhur krizën e drejtimit pas një sezoni të vështirë, por edhe për të parandaluar ndërhyrjen e rivalëve, sidomos të Napolit dhe presidentit De Laurentiis, që pak ditë më parë dukeshin pranë marrëveshjes me Allegrin. Megjithatë, kthesa e Napolit drejt Antonio Contes i hapi kuqezinjve një dritare të artë, të cilën e shfrytëzuan menjëherë.

Një rikthim me peshë

Takimi përfundimtar për marrëveshjen ndodhi pasditen e sotme në mes të Allegrit dhe administratorit të deleguar Giorgio Furlani. Trajneri livornez u bind dhe vendosi të rikthehet në një ambient që e njeh mirë, edhe pse shumë gjëra kanë ndryshuar që nga koha e fundit në Milanello.

Ky rikthim vjen si lëvizja e parë madhore e verës për klubin kuqezi, pas emërimit të Igli Tares si drejtor sportiv. Pikërisht Tare duket se ka luajtur një rol kyç në bindjen e Allegrit, duke dëshmuar që projekti sportiv i Milanit ka nisur të marrë formë që në fund të majit.

Një udhëheqës për ringritje

Me Allegrin në krye, Milani synon të rifitojë stabilitetin dhe identitetin në të gjitha aspektet, pas eksperimenteve me emra të ndryshëm si Pioli, Fonseca apo Conceição. Allegri sjell me vete përvojë, autoritet dhe njohje të presionit të madh që vjen nga stoli kuqezi, elementë të domosdoshëm për një klub që kërkon të rikthehet te titujt dhe, pse jo, të ëndërrojë sërish Champions-in.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco