Ndryshimet te Real Madridi nuk ndodhin vetëm në ekipin e parë. Me ardhjen e Xabi Alonso-s si trajner i skuadrës së parë, priten edhe zhvillime të tjera të rëndësishme në strukturat e klubit. Raúl González do të largohet nga drejtimi i Real Madrid Castilla dhe vendin e tij do ta zërë Álvaro Arbeloa. Edhe pse këto lëvizje ishin përfolur më herët, ato mbeten lajme të bujshme për tifozët dhe ambientin madrilen.
Edhe akademia e të rinjve – "La Fábrica" – do të pësojë disa ndryshime, dhe më i spikaturi mes tyre është emërimi i Julio Baptista-s si trajner. Ish-sulmuesi brazilian, që u ble nga Florentino Pérez në verën e vitit 2005 për 20 milionë euro nga Sevilla, do të rikthehet në Valdebebas për të marrë drejtimin e një prej ekipeve të moshave.
Përvoja e tij si trajner është e kufizuar: ai ka punuar me disa skuadra në strukturën e Valladolidit, duke drejtuar edhe ekipin e dytë të klubit. Pas një viti e gjysmë larg stolit, Baptista rikthehet si trajner në ambientet e Real Madridit.
Baptista, i formuar në akademinë e São Paulo-s, pati një karrierë të pasur në Evropë duke luajtur për Sevilla (2003–2005), Real Madrid (2005–2008), Arsenal, Roma dhe Málaga, për të përfunduar karrierën në Cruzeiro, Orlando City dhe më pas në Cluj të Rumanisë.
Gjatë gjithë karrierës së tij, Baptista ka ruajtur marrëdhënie të mira me Real Madridin. Kur u largua nga klubi, e kuptoi situatën dhe e pranoi me sportivitet, duke e gjetur shpejt ekipin e radhës. Ai ka qenë gjithmonë i mirëpritur në klub dhe është parë shpesh në aktivitete të ndryshme duke e mbështetur publikisht Realin.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: