Milani ka nisur zyrtarisht të ndërtojë të ardhmen me një kthesë të dukshme drejt një profili më “italian”: më i lidhur me realitetin e Serisë A, më i aftë të njohë rrugën drejt suksesit dhe më i ngarkuar me përvojë në fitimin e trofeve. Pas një sezoni të dobët ku Superkupa e Italisë në Arabinë Saudite ishte i vetmi ngushëllim, drejtuesit kuqezi kanë vendosur të fillojnë një cikël të ri me Igli Taren në rolin e drejtorit sportiv dhe me Vincenzo Italianon si favorit për pankinën.
Tare, një arkitekt me vizion
Pas një periudhe intensive bisedimesh që përfshiu takime në Londër, Romë dhe Milano, marrëveshja me Igli Taren është thuajse finalizuar. Ish-drejtori sportiv i Lazios, me 15 vite përvojë në kryeqytet dhe një palmares që përfshin 3 Kupa të Italisë dhe 3 Superkupa, ka refuzuar oferta të pasura nga klubet e Arabisë për t’u bashkuar me projektin e Cardinale dhe Ibrahimović në Casa Milan.
Tare njihet për aftësinë për të zbuluar talente, një cilësi që përshtatet në mënyrë perfekte me filozofinë e Milanit amerikan: të investojë te lojtarë të rinj me potencial për t’u rritur në skenën e madhe. Ai pritet të jetë prezent edhe në Milanello, duke ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me skuadrën dhe trajnerin e ri.
Italiano fiton terren për pankinën
Një javë më parë, Vincenzo Italiano fitoi trofeun e tij të parë si trajner, duke udhëhequr Bologna-n drejt suksesit në Kupën e Italisë përballë vetë Milanit. Ajo fitore ka bërë që emri i tij të kalojë në pole position për të zëvendësuar Sergio Conceição-n në pankinën kuqezi.
Italiano është i preferuar për futbollin e tij modern dhe ofensiv dhe përshtatet me dëshirën e klubit për një “trajner italian”, jo domosdoshmërisht nga kombësia, por nga filozofia e punës. Në kontrast, Massimiliano Allegri është alternativa me përvojë të jashtëzakonshme (6 tituj të Serisë A, 5 Kupa të Italisë, 3 Superkupa), por me një stil më konservator dhe një kosto më të lartë ekonomike.
Një strukturë e re për një epokë të re
Në ditët në vijim pritet zyrtarizimi i dy vendimeve kyçe: Tare si drejtor sportiv me kontratë 3-vjeçare dhe trajneri i ri, ku gjithçka flet për Vincenzo Italianon. Me këtë dyshe, Milani shpreson të nisë një epokë të re suksesi, të bazuar në identitet të qartë, vizion teknik dhe riorganizim të strukturave.
Pas viteve të pasigurta në drejtim, Milani po përpiqet të krijojë një model që kombinon trashëgiminë historike me një vizion modern, ku qëllimi është i qartë: rikthimi në majat e Italisë dhe Europës.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: