Sot, më 16 maj 2025, Massimo Moratti mbush 80 vjeç dhe këtë përvjetor të veçantë e ka festuar duke rrëfyer dashurinë e tij të përjetshme për Interin në kanalet zyrtare të klubit. Një histori e gjatë, intime dhe e thellë që përfshin kujtime nga fëmijëria, periudha si president dhe marrëdhëniet me lojtarët e mëdhenj që kanë veshur fanellën zikaltër.
“Të jesh president është përgjegjësi dhe privilegj”
“Të isha president i Interit ka qenë një përgjegjësi e madhe, e lidhur me detyrimin moral ndaj këtij klubi, por edhe sepse babai im ishte një president i madh dhe me shumë sukses tek Interi. Mbi gjithçka, kam ndier kënaqësinë që kam pasur këtë rol. Çdo ditë merresha me diçka që e doja dhe ky ka qenë një privilegj për të cilin i jam mirënjohës qiellit”.
“Dashuria për Interin nisi që në fëmijëri”
“Para se babai im të bëhej president, më merrte me vete në stadium kur isha më pak se 10 vjeç. Ai nuk e humbte asnjë ndeshje, madje shkonte edhe në transfertat më të largëta. Në shtëpi ndienim fort pasionin për Interin. Kur në vitin 1955 babai u bë president, e mora vesh dhe thashë: ‘E mrekullueshme!’ Por ai ishte një njeri aq i jashtëzakonshëm, sa nuk na habiti aspak – mund të bënte çdo gjë.”
“Një dhuratë... me pagesë”
“Në vitin 1995 ia bëra vetes një dhuratë 'me pagesë': rikthimi në atë ambient, në atë pasion që e ndanin të gjithë interistët. Dhe në fund më dha gjithçka që prisja. Kur kthehem pas në kohë, çuditem si arrita të qëndroja kaq gjatë nën presion. Por pastaj erdhi fundi i lumtur...”
18 vite në krye të klubit: 16 trofe dhe ëndrra e ‘Tripletës’
Gjatë drejtimit të tij si president, Moratti fitoi 16 trofe me Interin, përfshirë ‘Tripletën’ e famshme të vitit 2010 – titullin kampion, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve – nën drejtimin e José Mourinho-s, për të cilin ai thotë: “Ishte trajneri i përsosur”.

“Ronaldo e rilindi Interin në botë”
“E mora Ronaldon sepse më pëlqente shumë. Kishte ardhur në zyrën time kur ende luante në Holandë. Më la një figurë të tij kur ishte te PSV – ende e ruaj. Ishte i zgjuar dhe shumë simpatik. Kur doli mundësia për ta marrë nga Barcelona, askush nuk priste që unë të veproja në atë mënyrë. I zura të gjithë në befasi. Ishte si një ëndërr që po bëhej realitet, sepse, përveç tij, kishim edhe lojtarë të tjerë të jashtëzakonshëm që po bashkoheshin me ekipin. Ronaldo ishte ai që e rilindi Interin në skenën ndërkombëtare.”
Moratti mbetet një nga figurat më të dashura në historinë e Interit, një president që ka bërë histori me zemrën në vendin e duhur, gjithmonë pranë tifozëve dhe me një dashuri të palëkundur për klubin e jetës së tij.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: