Eventi i radhës promovues në kuadër të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” u zhvillua në Elbasan, ku morën pjesë qindra fëmijë dhe banorë të këtij qyteti.
Aktiviteti, që u organizua në sheshin përpara stadiumit “Elbasan Arena”, kishte si qëllim promovimin e këtij eventi historik për vendin tonë dhe përfshirjen e qytetarëve të Elbasanit në këtë ngjarje madhore sportive që do të mbahet nga data 19 maj deri më 1 qershor në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Pano Xhixho, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, ambasadorja e turneut, Valbona Selimllari, ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila, si dhe përfaqësues të SHRF Elbasan.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Pano Xhixho theksoi rëndësinë e këtij Europiani dhe ftoi të gjithë qytetarët ta përjetojnë nga afër atmosferën e këtij kompeticioni.
“Ju sjell përshëndetjet e Presidentit Duka. Më vjen shumë mirë që jemi në “Elbasan Arena”, aty ku të gjithë e mbajmë mend aventurën që nisi Andi Lila me shokët e tij për të shkuar në Europian. Na dukej e pamundur që Shqipëria një ditë të shkonte në Kampionatin Europian, por ka qenë pikërisht ky stadium që solli atë sukses të jashtëzakonshëm të ekipit kombëtar.
Ja ku jemi sot, në një tjetër Europian “Euro U17 Shqipëri 2025”, një gjë e paimagjinueshme më parë. Le ta shijojmë këtë Europian, sepse nuk ndodh shpesh që të luhet një Kampionat Europian në vendin tonë”, – tha anëtari i KE-së, Pano Xhixho.
Ish-futbollisti i Kombëtares, Andi Lila, e cilësoi këtë Europian si një privilegj për vendin.
“Çdo futbollist pjesëmarrës do të jetë në piacë dhe do të performojë për ngjyrat kuqezi. Do të ketë një privilegj sepse të gjithë sytë e Europës dhe menaxherëve do të jenë këtu që të kenë një karrierë sa më të pasur. Të gjitha skuadrat finaliste nxjerrin yje të futbollit botëror, pretendentë të Topit të Artë. Por shpresoj që edhe ne të bëjmë më të mirën tonë dhe të përfaqësohemi denjësisht, ashtu siç edhe Kombëtarja A përballet denjësisht kundër çdo kundërshtari. Pse mos të përballet edhe ekipi U-17. Është bërë një punë e mirë nga trajnerët e ekipit kombëtar dhe FSHF, Presidenti Duka. Falë tij po vijnë këto aktivitete të rëndësishme. Kemi disa stadiume me të cilat përfaqësohemi denjësisht kudo”, – tha Andi Lila.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: