Milan dhe Bologna përgatiten për finalen e madhe të Kupës së Italisë që do të zhvillohet mbrëmjen e nesërme, dhe ndërkohë që koha po afron, dilemat për formacionin kuqezi vijojnë. Një lajm i mirë për trajnerin Sergio Conceição është rikuperimi i Youssouf Fofana, i cili sot është stërvitur me grupin, duke konfirmuar gatishmërinë për ndeshjen.
Megjithatë, pyetja kryesore që qëndron pezull prej ditësh është: kush do të luajë si sulmues i parë? Sipas raportimeve nga Sky Sport, aktualisht Luka Jovic është në avantazh krahasuar me Santiago Gimenez, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.
Formacioni i pjesës tjetër të ekipit duket thuajse i qartë. Mike Maignan do të mbajë shiritin e kapitenit dhe do të qëndrojë mes shtyllave. Mbrojtja do të përbëhet nga një linjë treshe me Tomori, Gabbia dhe Pavlovic. Në krahë do të luajnë Theo Hernandez dhe Jimenez, ndërsa Fofana dhe Reijnders do të përbëjnë mesfushën qendrore. Në sulm, pas qendërsulmuesit (ku momentalisht Jovic ka epërsi), do të vendosen Rafael Leao dhe Christian Pulisic.
Në konferencën për shtyp, Conceição ka zgjedhur të mbajë sekret emrin e titullarit në sulm, duke mos dhënë asnjë sinjal:
"Unë përgjigjem shkurt: nuk e them. Sepse nuk ua kam thënë as lojtarëve. Është e drejtë që të flas më parë me ta. Të dy kanë punuar në të njëjtat gjëra, edhe ata vetë janë në dyshim," u shpreh trajneri portugez.
Finalja pritet të jetë një duel i fortë dhe vendimtar, dhe zgjedhja e sulmuesit titullar mund të bëjë diferencën.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: