PSG–Inter, mësoni emrin e arbitrit të finales, ka gjykuar në ‘Arena Kombëtare’

PSG–Inter, mësoni emrin e arbitrit të finales, ka gjykuar në ‘Arena Kombëtare’

20:07, 12/05/2025

UEFA ka vendosur që finalja e Champions League mes Paris Saint-Germain dhe Interit, që do të luhet më 31 maj në Mynih, të gjykohet nga rumuni Istvan Kovacs. Për gjyqtarin 40-vjeçar nga Carei, kjo është arritja më e madhe në karrierën e tij si arbitër ndërkombëtar.

Kovacs ka një përvojë të konsiderueshme në ndeshjet më të rëndësishme të UEFA-s. Ai drejtoi finalen e Europa League në vitin 2024 ku Atalanta dominoi Bayer Leverkusenin, si dhe finalen e UEFA Conference League në vitin 2022, kur Roma triumfoi ndaj Feyenoord.

Në Champions, arritja e tij më e lartë deri më tani ishte gjykimi i gjysmëfinales spektakolare të sezonit 2021/2022 mes Manchester City dhe Real Madrid (4-3). Një vit më pas ishte gjyqtar i katërt në finalen mes Manchester City dhe Inter, që u arbitrua nga Marciniak. Po ashtu, në vitin 2024, Kovacs u përzgjodh për të marrë pjesë në Euro 2024 në Gjermani.

Sa i përket precedentëve me skuadrat finaliste, bilanci është pozitiv për Interin: dy fitore dhe një barazim. Në vitin 2021, zikaltrit barazuan 0-0 në fushën e Shakhtar Donetsk, ndërsa në shkurt të vitit 2024, Kovacs drejtoi ndeshjen e parë të 1/8-ave ndaj Atletico Madridit, të cilën Interi e fitoi 1-0. Më pas, në këtë sezon, ai arbitroi ndeshjen Inter–Arsenal (1-0) në fazën e kampionatit të Champions-it.

PSG nga ana tjetër ka një bilanc të përzier me Kovacs: tri fitore dhe dy humbje. Në vitin 2019, rumuni gjykoi fitoren 5-0 ndaj Galatasaray. Katër vite më vonë ishte në fushë në sfidën ndaj Newcastle, që u mbyll me humbjen 4-1 për francezët. Në sezonin e kaluar, PSG fitoi 4-1 në "Camp Nou" ndaj Barcelonës në çerekfinale me Kovacs në fushë. Ndërsa në edicionin aktual, ekipi francez ka regjistruar një humbje (1-0 ndaj Bayernit në fazën e kampionatit) dhe një fitore të madhe pas penalltive në “Anfield” kundër Liverpool-it në 1/8-at.

Përveç finales së Champions-it, UEFA ka njoftuar edhe gjyqtarët për finalet e tjera evropiane: gjermani Felix Zwayer do të gjykojë finalen e Europa League mes Tottenham dhe Manchester United në Bilbao, ndërsa si gjyqtar i katërt është caktuar italiani Maurizio Mariani, që drejtoi edhe finalen e Kupës së Italisë.

Finalja e Conference League mes Betis Sevilla dhe Chelsea, që do të luhet më 21 maj në Wrocław, do të gjykohet nga boshnjaku Irfan Peljto.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

>
Denonco