Interi po përgatit një plan ambicioz për të përforcuar repartin e mbrojtjes dhe një nga emrat më të përfolur është ai i Matthijs de Ligt. Qendërmbrojtësi holandez, që mund të largohet nga Premier League gjatë merkatos së verës, është në radarët e drejtuesve zikaltër, të cilët janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo mundësi për ta sjellë në Milano.
Sipas burimeve pranë “L’Interista”, në shtëpinë e Manchester United ka një ndjesi të fortë se një nga qendërmbrojtësit mund të kërkojë largimin dhe kjo e përforcon pistën ‘de Ligt’. Holandezi, që aktualisht është pjesë e “Djajve të Kuq”, ka një të kaluar të njohur në Serinë A dhe për Simone Inzaghin do të ishte një përforcim me shumë peshë.
De Ligt u transferua te Juventus në korrik të vitit 2019 nga Ajax për 75 milionë euro, pas një sezoni të jashtëzakonshëm dhe fitimit të çmimit “Kopa Trophy” si lojtari më i mirë i ri në botë. Edhe pse fillimisht pritej të futej gradualisht në formacion, një dëmtim i Chiellinit e detyroi ta merrte menjëherë rolin e titullarit, duke luajtur krah Bonuccit në zemër të mbrojtjes.
Në tri sezone me bardhezinjtë, de Ligt zhvilloi 117 ndeshje, shënoi 8 gola dhe fitoi tre trofe: Serie A 2019/20, Kupën e Italisë 2020/21 dhe Superkupën Italiane të po atij viti. Në vitin 2022, ai kaloi te Bayerni për 67 milionë euro plus 10 milionë bonuse, duke mbyllur aventurën italiane përkohësisht.
Tani, Interi është gati ta rikthejë në Serie A. Me përvojën, moshën e re dhe profilin ndërkombëtar, de Ligt shihet si njeriu ideal për të forcuar një skuadër që synon të mbetet në majat e futbollit italian dhe europian.
A do të rikthehet Matthijs de Ligt në Itali, kësaj here me fanellën zikaltër? Merkatoja e verës pritet të japë përgjigjen.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: