Një valle e fundit e madhe, ndoshta, në moshën 65-vjeçare, për t’u ngjitur përfundimisht në panteonin e pavdekshëm të futbollit. Carlo Ancelotti është tashmë një emër i skalitur në historinë e këtij sporti – falë sukseseve të panumërta si futbollist dhe më pas si trajner – por sfida që e pret është ndoshta më e vështira që ka përballuar ndonjëherë: të udhëheqë Brazilin drejt triumfit në Kupën e Botës 2026.
Një mision i vërtetë, nëse kemi parasysh rezultatet zhgënjyese të viteve të fundit të “Seleçaos” dhe faktin që paraardhësit e Ancelottit janë “shuar” të gjithë nga depresioni që ka përfshirë kombëtaren që dikur simbolizonte futbollin më të lumtur në botë.
Pas traumës së “Mineirazos” – humbjes 1-7 kundër Gjermanisë në gjysmëfinalen e Botërorit 2014 – Brazili ka rënë në një vorbull mediokriteti, nga e cila nuk po arrin të dalë. Sukseset e njëpasnjëshme të rivalit historik, Argjentinës, e kanë thelluar plagën. Kombëtares i mungon një lider i vërtetë, në fushë apo në stol, një figurë që të mund ta udhëheqë në momentet më të vështira. Neymar ishte i fundit që e kishte këtë peshë. Vinicius Jr. ende nuk ka arritur ta marrë plotësisht stafetën.
Në këtë kontekst, vendimi për të zgjedhur për herë të parë një trajner të huaj është historik. Dhe jo një trajner çfarërdo: Ancelotti është një fitues i madh, i dashur dhe i respektuar, veçanërisht nga shumë prej lojtarëve brazilianë që ai i njeh mirë, si Vinicius, Rodrygo apo Militão. Ai është trajneri që mund të nxjerrë më të mirën nga ky grup.
"Trajneri më i madh në histori është tani në krye të kombëtares më të madhe në botë. Së bashku do të shkruajmë kapituj të rinj lavdie për futbollin brazilian", deklaroi presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, Ednaldo Rodrigues, i cili e ka ndjekur prej kohësh Ancelottin dhe më në fund realizoi ëndrrën e tij.
Tani ëndrra e gjithë një kombi është e qartë: Botërori. Brazili nuk e ka fituar që prej vitit 2002 dhe që atëherë ka njohur vetëm zhgënjime të mëdha. Është momenti i duhur për të rilindur dhe për të ndriçuar sërish në skenën më të madhe të futbollit.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: