Premtimi u mbajt. Pas fitores spektakolare të Barcelonës ndaj Real Madridit (4-3) në javën e 35-të të La Liga-s, Lamine Yamal dhe legjenda e Arsenalit e Barcelonës, Thierry Henry, u takuan në stadiumin ‘Montjuïc’.
Gjithçka nisi pas eliminimit të Barçës në gjysmëfinalet e Champions League kundër Interit në “San Siro”, ku Yamal spikati me një paraqitje mbresëlënëse. Më pas, Henry i dërgoi një mesazh të veçantë 17-vjeçarit:
“Do të vij ta shoh ndeshjen ndaj Realit. A mund të ma rezervosh fanellën tënde për djalin tim, të lutem?” Yamal iu përgjigj me një propozim të veçantë: “Ta jap timen dhe ti ma jep tënden”, duke sugjeruar një shkëmbim fanellash, qoftë të Barcelonës apo Arsenalit: “Si të duash”, – shtoi ai.
Dhe ashtu ndodhi. Pas “El Clásico-s” të së dielës ndodhi takimi i shumëpritur. Henry i dhuroi Yamal-it fanellën e tij me numrin 14, ndërsa talenti spanjoll ia dorëzoi ’19’ e tij të Barcelonës.
Nuk munguan dedikimet me përzemërsi. Yamal shkroi: “Për legjendën, vrasësin (‘the killer’), Henry. Je një gjeni”.
Henry iu përgjigj: “Për Lamine, me gjithë zemrën time. Ti je një gjeni”.
Pati përqafime, buzëqeshje dhe disa fjalë të shkëmbyera mes dy yjeve. Ishte përballje mes talentit të së kaluarës dhe të së tashmes. Të dy u pozicionuan për një foto me fanellat në duar, duke fiksuar momentin e veçantë. Kujtojmë që Henry luajti për Barcelonën nga 2007 deri më 2010, pas një karriere të lavdishme me Arsenalin në Premier League.

© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: