Real Madridi do të zbresë nesër në fushë në “Santiago Bernabéu” ndaj Celta Vigo-s në një ndeshje vendimtare për të mbajtur gjallë shpresat për titullin në La Liga dhe për të mos humbur hapin me Barcelonën. Takimi do të luhet në orën 14:00 dhe vjen në një moment aspak të favorshëm për skuadrën e Ancelotti-t, që përballet me një numër të lartë mungesash.
Trajneri italian nuk do të ketë në dispozicion Rodrygo-n, i cili është përjashtuar nga lista e të grumbulluarve për shkak të etheve dhe simptomave të forta të ftohjes. Por situata bëhet edhe më e ndërlikuar në repartin e mbrojtjes: Carvajal, Militão, Alaba, Rüdiger dhe Mendy janë të gjithë të dëmtuar. Në mesin e fushës mungon Camavinga, ndërsa sulmit i shtohet edhe mungesa e Rodrygo-s.
Për të mbushur boshllëqet, Ancelotti ka përfshirë në listën e të grumbulluarve dy të rinj nga akademia – Youssef (mbrojtës i majtë) dhe Jacobo (qendërmbrojtës).
Lista e lojtarëve të grumbulluar:
Portierë: Courtois, Lunin, Sergio Mestre.
Mbrojtës: Lucas Vázquez, Vallejo, Fran García, Asencio, Youssef, Jacobo.
Mesfushorë: Bellingham, Valverde, Modrić, Tchouameni, Arda Güler, Ceballos.
Sulmues: Vinicius Jr., Mbappé, Endrick, Brahim Diaz.
Në konferencën për shtyp, Ancelotti tha:
“Celta është një skuadër shumë e mirë dhe e organizuar. E kemi përgatitur me kujdes këtë ndeshje, pasi kemi pasur një javë në dispozicion. Qëllimi ynë është të qëndrojmë në garë për La Liga-n.”
Në një sfidë që vjen mes emergjencës dhe ambicies për titull, Real Madrid do të kërkojë të mbajë gjallë shpresën për trofeun më të rëndësishëm në futbollin spanjoll.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: