Pas një periudhe të vështirë me pak minuta në fushë dhe rikuperimit nga një dëmtim serioz, Marash Kumbulla duket se ka rifituar ritmin dhe besimin me fanellën e Espanyolit, ku është aktivizuar në huazim nga Roma. Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare është shfaqur më i qetë dhe më i qëndrueshëm në paraqitjet e tij, duke shpresuar që kjo periudhë në Spanjë të shërbejë si trampolinë për karrierën e tij.
Megjithatë, e ardhmja e tij pas përfundimit të sezonit është ende e paqartë. I pyetur për të ardhmen, Kumbulla është shprehur me sinqeritet:
“Dua të vazhdoj në këtë rrugë, në kuptimin e vazhdimësisë dhe qëndrueshmërisë në lojë. Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Sigurisht, në fund të kampionatit do të rikthehem te Roma, pasi jam në huazim të thjeshtë. Më pas, nuk di se çfarë do të vendoset, por ajo që dua me çdo kusht është të kem më shumë vazhdimësi, siç e kam pasur këtë vit”.
Kumbulla është ende nën kontratë me Romën, por konfirmimi i tij në projektin e ardhshëm të klubit nuk është aspak i sigurt. Teksa Roma ka ndryshuar trajner dhe është në një fazë tranzicioni, mbetet për t’u parë nëse lojtari do të ketë vend në skuadër për sezonin e ardhshëm apo do të kërkojë një sistemim tjetër, ndoshta sërish në huazim apo me transferim të përhershëm.
Në Spanjë, Kumbulla ka treguar se, kur është i shëndetshëm dhe i aktivizuar rregullisht, mund të jetë një element i rëndësishëm për çdo mbrojtje. Performancat e tij në këtë pjesë të dytë të sezonit kanë rikthyer interesimin e disa klubeve, sidomos në Serie A dhe La Liga, që janë në kërkim të një mbrojtësi të ri me përvojë ndërkombëtare.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: